Sali Berisha e ka quajtur vendim të turpshëm, atë të Gjykatës Kushtetuese për pranimin pjesërisht të padisë së kryedemokratit për masat e para të sigurisë ndaj tij, atë të detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit. Ky vendim për Berishën dëshmon shkallën më të ulët të gjykimit dhe të përgjegjësisë.

Sali Berisha: Të dashur miq, para se të vinit këtu, kryetarja e Gjykatës Antikushtetuese doli në konferencë shtypi. Doli në konferencë shtypi dhe informoi një vendim të turpshëm, një vendim që dëshmon shkallën më të ulët të gjykimit dhe të përgjegjësisë. Një vendim që është i barabartë me një të një gjykate fakti.

Një vendim që Gjykatën Kushtetuese e shpall jokushtetuese, antikushtetuese. Edhe njëherë miq, ndjehem krenar që mbrojta Kushtetutën, qëndrova kundër puçit që i bëri parlamentit një grusht horrash në organizatën kriminale të Skapit të partisë dhe gjykatësja me 5 mbiemra.

Mbrojta Kushtetutën, ndarjen e pushteteve nga një puç i ulët. Kurse Gjykata Kushtetuese, në një vendim të turpshëm, quan joproporcional, nuk bën fjalë se i merret pushteti parlamentit me vendimin ekstrakushtetues, ekstraligjor. Një kapitull tjetër i turpit, i paralajmëruar 10 ditë më parë nga Ulsi Manja me dokumente se Rama na njoftoi për vendimin që do merrej.

Kushtetuesja ka shfuqizuar masën për ndalim dalje jashtë vendit të Berishës, duke e konsideruar si cënim të proporcionalitetit. Megjithatë, Sali Berisha do të vijojë të qëndrojë në arrest shtëpie, për shkak se këtë masë sigurie nuk e kishte ankimuar.

Sa i përket masës “detyrim për t’u paraqitur” për të cilën Sali Berisha kërkoi të shpallej antikushtetuese, Kushtetuesja e ka konsideruar të drejtë vendimin e kërkuar nga SPAK dhe të dhënë nga GJKKO, me argumentimin se nuk kufizon lirinë dhe se nuk nevojitej autorizim nga Kuvendi./tvklan.al