“Votë unanime, nuk ka cënim të prezumimit të pafajësisë”
Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e bëra nga kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës Fredi Beleri. Me shumicë votash gjyqtarët vendosën se masa e dhënë nga gjykata “arrest në burg” kufizon të drejtën e betimit të tij, por kufizimi i lirisë është bërë për një qëllim të ligjshëm dhe që nuk cënon të drejtën për t’u zgjedhur.
“Gjykata vlerësoi se vendosja e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” në ngarkim të zotit Beleri pamundëson kryerjen e procedurës së betimit nga ana e tij si kryetar i zgjedhur i bashkisë së Himarës dhe, për pasojë, masa e arrestit përbën një kufizim të së drejtës së tij për t’u zgjedhur. Sidoqoftë, duke qenë se Gjykata arriti në përfundimin se kufizimi i lirisë personale të zotit Beleri është bërë për një qëllim të ligjshëm dhe se kufizimi është proporcional në raport me këtë qëllim, Gjykata Kushtetuese me shumicë votash, nuk gjeti cënim të së drejtës së kërkuesit për t’u zgjedhur.”
Gjithashtu Kushtetuesja nuk e konsideroi shkelje faktin që masa e parë e sigurimit për Fredi Belerin është caktuar nga gjykata e Vlorës. Kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës kërkonte paligjshmërinë e masës me argumentin se gjykata e Vlorës nuk është kopetente për të hetuar dhe gjykuar korrupsionin në zgjedhje.
Trupa e gjyqtarëve ka vendosur njëzëri, se nuk është cënuar parimi i prezumimit të pafajësisë për Fredi Belerin. Gjykata e Posaçme disa ditë më parë e dënoi Belerin me 2 vite burg për veprën penale korrupsion aktivë në zgjedhje.
Klan News