Kryediplomati serb, Ivica Daçiç theksoi këtë të mërkurë se miratimi i raportit për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës sipas tij hap “kutinë e Pandorës”.
Për TV Pink ai theksoi se “një luftë mbinjerëzore po zhvillohet përpara Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 16 dhe 17 maj, i cili ose mund ta refuzojë raportin, ta shtyjë votimin ose ta pranojë atë”.
Siç tha ai “ky opsion i fundit është më i mundshmi, duke pasur parasysh se një numër i madh i shteteve anëtare të Këshillit të Evropës e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, transmeton Klankosova.tv.
Reagimi i tij, i dyti me radhë, erdhi pasi me shumicë votash, eurodeputetët votuan një ditë më parë pro një opinioni pozitiv për Kosovën të përgatitur nga raportuesja në KiE, Dora Bakoyannis.