Ka nisur punimet Konferenca e 7-të e Ministrave të Brendshëm të vendeve të Ballkanit perëndimor për sigurinë e kufijve.
I pranishëm ka qenë dhe Kryeministri Sali Berisha, i cili ka theksuar disa nga arritjet e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar në sigurimin e kufijve, si dhe në pajisjen e qytetarëve shqiptarë me dokumente identifikimi.
Sali Berisha: “Lufta me 0 tolerancë ndaj krimit të organizuar, funksionoi dhe në bindjen time më të thellë 0 toleranca është shtylla kryesore mbi të cilën duhet të bazohet lufta kundër krimit të organizuar. Shqipëria dora dorës ja doli të ketë treguesit e kriminalitetit qartësisht më të ulëta se mesatarja e vendeve anëtare të BE-së. Në të gjitha pikat e kalimit kufitar është instaluar dhe funksionon sistemi TIMS edhe në disa prej tyre që nuk kanë më shumë se 30, 40 udhëtarë që i kalojnë ato”.
Ministri i Brendshëm Luzim Basha deklaroi se siguria e kufijve është një nga kushtet bazë për liberalizimin e vizave dhe të gjitha vendet e rajonit duhet të angazhohen.
Lulzim Basha: “Përkushtimi ynë është që kufijtë tanë të jenë të hapur, të lehtë për t’u kaluar për gjithë qytetarët tanë dhe ata të vendeve të tjera, por hermetik dhe të pakalueshëm për krimin transkufitar rajonal apo ndër rajonal”.
Për Ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë Ivica Daçiç, sfidë tani për vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë përfituar ose presin të përfitojnë liberalizimin e vizave, është të mos abuzojnë me të, ndërkohë shumë i rëndësishëm mbetet bashkëpunimi mes vendeve në parandalimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafiqeve.
Ivica Daçiç: “Pavarësisht qëndrimeve tona të ndryshme politike ne duhet të bashkëpunojmë gjithnjë e më shumë në të mirë të qytetarëve tanë pasi kjo është e vetmja mënyrë për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin, si dhe korrupsionin. Serbia dëshiron të theksojë se duhet të kemi një bashkëpunim më të gjerë”.
Konferenca e 7-të e Ministrave të Brendshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor për sigurinë e kufijve do vazhdojë deri më 6 mars./tvklan.al
Gazetar: Eno Luarasi