Kuvendi mbajti seancë solemne për nder të dy vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Krerët e vendit vlerësuan lartë të arriturat e Kosovës në këto dy vjet të pavarësisë së saj.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi duke vlerësuar zhvillimet e Kosovës, sidomos në fazën e pas pavarësimit, tha se tashmë ka ardhur koha që edhe pjesa veriore e vendit të integrohet dhe të fillojë proceset prosperuese për qytetarët e kësaj pjese të vendit.
Jakup Krasniqi: “Kosova e pavarur është realitet i pa kthyeshëm dhe integriteti i saj i garantuar ndërkombëtarisht është i pa cenueshëm”.
Kryeministri Hashim Thaçi tha, se 17 Shkurti është kurorëzimi i rrugëtimit shekullor të Kosovës për të cilën sakrifikuan shumë gjenerata.
Hashim Thaçi: “Pavarësia e Kosovës është meritë e çdo qytetari të Republikës së Kosovës. Çdo qytetar duhet të ndihet krenar kudo që jeton, në Kosovë dhe Diasporë, si qytetar dhe si falje e kësaj shoqërie. Populli i Kosovës është krijues i shtetit të Kosovës”.
Liderët kosovarë vlerësuan se sfidat e tjera të shtetit të Kosovës mbesin zhvillimi ekonomik dhe integrimet euroatlantike, po ashtu ata shprehin bindjen se numri i shteteve që kanë njohur Kosovën do të rritet pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë./tvklan.al