Kuvendi zhvilloi një takim me institucionet e pavarura këtë të enjte. Fokusi ishte puna në procesin për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kryeparlamentarja Elisa Spiropali tha se institucionet e pavarura janë instrument i rëndësishëm në shtetin e së drejtës dhe bashkëpunimi me to është prioritet. Sipas saj, dinamika e zhvillimeve në procesin integrues të vendit krijon nevojën për një sinergji ndërveprimi mes Kuvendit dhe tyre.
“Dinamika e zhvillimeve dhe detyrimeve të proceseve integruese krijon ngutin dhe nevojën për një sinergji më të shpeshtë ndërveprimi kuvend-institucione të pavarura përtej raportimit periodik vjetor. Procesi i screening ishte një ushtrim i mirë që evidentoi këtë domosdoshmëri për të parë me vëmendje të shtuar si rekomandimet, ashtu dhe detyrat që miratohen përmes rezolutave. Kuvendi ka një rol udhëheqës në procesin për anëtarësim në BE si garantues i legjitimitetit demokratik dhe karakterit gjithëpërfshirës të procesi”, tha Spiropali.
Sipas saj shembull është Reforma në Drejtësi.
“Frytet e para të institucioneve të drejtësisë janë shembulli më i mirë se çfarë energjie institucionale çlirohet kur filozofia e pavarësisë së institucioneve vihet në jetë”, u shpreh ajo.
“Ajo çfarë ishte dikur e paimagjinueshme, ajo që konsiderohej si tabu tashmë i përket të kaluarës. Pandëshkueshmëria si kulturë dhe status është goditur në mënyrë të pakthyeshme. Ky është shembulli më i qartë si Kuvendi dhe qeverisjet e vendit kanë kryer detyrën natyrisht të asistuar në mënyrë të paçmuar nga partnerët tanë”, shtoi kryeparlamentarja.
Sa i përket Kuvendit, Spiropali tha se deputetët kanë vullnet të plotë dhe janë të hapur të miratojnë iniciativa ligjore kur janë të nevojshme.
“Jemi të detyruar të gjithë së bashku të ofrojmë zgjidhje më të mirat, secilit për atë që i takon si detyrë dhe përgjegjësi”, përfundoi Spiropali./tvklan.al