Një Parti triumfuese Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar po kthehet në pushtet në Britani, pasi korri një fitore historike duke i shkaktuar pas 14 vitesh një disfatë të thellë konservatorëve të Rishi Sunak.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak pranoi se partia e tij kishte humbur zgjedhjet e parakohshme që ai thirri gjashtë javë më parë dhe tha se laburistët do të formonin qeverinë e ardhshme duke uruar nëpërmjet një bisede telefonike kreun e Partisë Laburiste, Keir Starmer, për fitoren.
“Partia Laburiste i ka fituar këto zgjedhje. Populli britanik ka dhënë një verdikt të kthjellët dhe unë marr përgjegjësinë për humbjen,” tha Sunak .
Shkalla e rezultatit është e jashtëzakonshme, me laburistët që kanë marrë një shumicë prej 410 vendesh në Paralamentin britanik më e madhja që nga fitorja e famshme e Tony Blair në 1997, ndërsa konservatorët e Rishi Sunak arritën që të merrnin vetëm 115 vende në paralament. Sipas sondazheve, udhëheqësi i laburistëve, Keir Starmer, do të jetë kryeministri i ardhshëm britanik.
“Ne ia dolëm. Keni bërë fushatë për të, keni luftuar për të, keni votuar për të. Ndryshimi fillon pikërisht këtu, sepse kjo është demokracia juaj, komuniteti juaj dhe e ardhmja juaj. Tani është koha që ne të marrim frerët edhe të drejtojmë vendin. Unë nuk ju premtoj se do të jetë e lehtë. Të ndryshosh një vend nuk është si të hapësh një derë me një çelës. Është punë e vështirë. Thamë se do t’i japim fund kaosit dhe do ta bëjmë. Sot fillojmë kapitullin tjetër. Faleminderit shumë, të gjithë.”
Për Starmer, ky triumf do të sjellë sfida të mëdha, pasi ai përballet me një elektorat që kërkon ndryshime madhore në vend edhe pse nën sfondin e zymtë të gjendjes së vështirë ekonomike, mosbesimit në rritje në institucione dhe një strukturë të dobët shoqërore. Rezultati është një katastrofë për konservatorët pasi votuesit kritikuan për 14 vjet Brexit, një pandemi, skandale politike dhe konflikte të brendshme.
Ndërkaq Nigel Farage është zgjedhur deputet për herë të parë, pasi partia e tij Reforma në Mbretërinë e Bashkuar fitoi katër vende. Udhëheqësi i “Reformës” mori mbi 8,000 vota në Clacton në Essex. Ai korri fitore edhe në Great Yarmouth dhe Skegness. Në një fjalim pas shpalljes së rezultatit, Farage tha se ishte “hapi i parë i diçkaje që do t’ju mahnitë të gjithëve”.
Liberal Demokratët fituan më shumë se 60 vende ndërsa Partia e Gjelbër fitoi katër vende. Një nga humbësit më të mëdhenj ishte Partia Kombëtare Skoceze, e cila mbante 57 vende përpara zgjedhjeve.
Klan News