Personalitet të shquara të vendit nga shumë fusha të ndryshme, miq e kolegë u përulën në shenjë nderimi për Ismail Kadarenë para arkmortit të mbuluar me flamurin kombëtar.
Qeveria organizoi ceremoninë e homazheve gjatë së cilës u interpretuan pjesë nga veprat e gjeniut Kadare si një kujtim i trashëgimisë që ai la pas për breza të tërë.
Presidenti Begaj, kryeministri Rama, anëtarë të kabinetit qeveritar, përfaqësues të mediave, por edhe qytetarë të shumtë u përulën para arkmortit të kolosit të letrave shqipe.
Bashkëshortja Elena Kadare shoqërohej gjatë gjithë kohës nga dy vajzat dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.
Nga Kosova kishin ardhur krerët më të lartë të shtetit, presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe kryetari i Kuvendit Konjufca.
Të shumtë ishin politikanët, por edhe personalitete të tjere që lanë mesazhet e tyre në librin e kujtimeve.
Gjeniu Ismail Kadare u përcoll me duatrokitje dhe karafila para se të drejtohej për në banesën e fundit.
Pas afro 3 orë homazhe, arkmorti me trupin e gjeniut të letrave shqipe, iu drejtua varrezave të Tufinës ku do prehet përkohësisht, ku u zhvillua dhe ceremonia private, në respekt të kërkesës së familjarëve të të madhit Kadare.
Gjeniu i letrave shqipe u nda nga jeta mëngjesin e të hënës, në moshën 88-vjeçare. Ai do të mbahet mend jo vetëm si rojtari i gjuhës shqipe, por dhe si një shkrimtar që e çoi përpara zhvillimin e saj, edhe më shumë, si një gjeni që e bëri të njohur në arenën ndërkombëtare. Veprat e tij janë përkthyer në 45 gjuhë të botës.
Klan News