Fluksi masiv i kthimit të emigrantëve për në shtetin grek është shoqëruar me radhë të gjata në doganën e Kakavijës. Që në orët e para të ditës numri i makinave dhe i shtetasve që kanë kaluar kufirin ka qenë respektivisht mbi 1200 për automjetet dhe mbi 4 mijë për emigrantët.
Puna me një sportel e palës greke ka bërë që radha e makinave të shkojë mbi 4 km. Ndërsa pritja për të kaluar në shtetin fqinj ka zgjatur deri në 6 orë. Vetëm pas orës 10 të paradites pala greke ka rritur ritmin e punës duke e çuar në 5 sportelet e përpunimit, ndërsa pala shqiptare ka punuar me 8 sportele.
Radhët e gjata nuk janë shoqëruar me probleme shëndetësore për emigrantët, por për arsye sigurie në pikën doganore ka qenë e pranishme një ambulancë e spitalit të Gjirokastrës. Ndërkohë në orët e mesditës fluksi i kalimit të emigrantëve ka rënë si pasojë e rritjes së sporteleve dhe përpunimit të autobusëve. /tvklan.al
Gazetar: Njazi Sako