Kryetari i Bashkisë së Durrësit Lefter Koka denoncoi në Prokurorinë e rrethit një ish-ministër dhe një deputet të Partisë Socialiste mbështetur në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kryebashkiaku, pa dashur të deklarojë emra konkretë, ka përfshirë në listën që do të hetohet nga prokuroria edhe anëtarë të Këshillit Bashkiak të Durrësit gjatë kohës që bashkia drejtohej nga Miri Hoti. Koka, ndër të tjera, foli për dhunim të pronës së individit, zaptim të pronës shtetërore, emfiteoza që kthehen në prona private, prona të padeklaruara deputetësh e shkelje ligjesh nga ministra.
Lefter Koka: “Do të gjej rastin, nëpërmjet jush, t’i transmetoj të dy liderave të politikës shqiptare, pra zotit Nano dhe zotit Berisha të kontribuojnë të mos e bëjnë poltikën nëpër sallat e Tiranës. Do të doja t’i komunikoja që Durrësi është i shitur dhe i dhunuar. Ka një bashkëpunim ideal ndërmjet të dyja forcave, fatkeqësisht për të vjedhur nga persona, nga individë të veçantë. Unë do kërkoj brenda këtij mandati të marr përsipër, nëse ata do më autorizojnë, pra, të dy bashkë, të kontribuoj për t’i kthyer qytetit identitetin e tij. Është një zonë e cila pritet të zhvillohet, zona e Kampit të Durrësit e cila është totalisht e zaptuar nga anëtarë të Këshillit Bashkiak, është një zonë bregdetare ku fatkeqësisht akoma qeveria vazhdon të mos ia kalojë në administrim Bashkisë së qytetit ku është me vila ministrash. Kemi një zonë në Shkozet, ku është marrë në kompensim nga drejtues partie dhe unë kërkoj të marr pikërisht këtë rrisk, të bashkëpunoj pra me këta dy lidera, nëse ndihen të atillë, nëse fjalët që thonë që punojnë për këtë vend, janë plotësisht dakord të kontribuoj krahas asaj që të jap llogari dhe për veten time siç kam dhënë deri më tash.” /tvklan.al