Në mënyrë që vendi të dalë nga izolimi për shkak të koronavirusit duhet të plotësohen disa kushte.
Mediat britanike shkruajnë se sistemi shëndetësor duhet të jetë në gjendje të përballojë të infektuarit, duhen mjaftueshëm teste, lehtësimi i masave nuk duhet të çojë në një valë të dytë, duhet të ketë ulje të vdekshmërisë dhe një ulje të nivelit të infektueshmërisë.
Duke u bazuar në këto pika, Britania ka vendosur një sistem alarmi për koronavirusin. Ky sistem përcaktohet nga numri R dhe numri i rasteve me koronavirus. Kjo do të përcaktojë në fund se sa strikte do të jenë masat e izolimit.
Por çfarë është numri R, si llogaritet dhe çfarë nënkupton?
Çfarë është numri R?
Numri R tregon se sa personave të tjerë mund t’ia kalojë sëmundjen një i infektuar. R është numri efektiv i riprodhimit të virusit dhe me këtë numër shkencëtarët llogarisin sa shpejt përhapet një sëmundje.
Nëse numri R është 2, atëherë kjo do të thotë që 1 person mund të infektojë 2 persona të tjerë dhe secili prej tyre mund të infektojë nga 2 të tjerë e kështu me radhë.
Sa është numri R për koronavirusin?
Vende të ndryshme kanë pasur numër të ndryshëm në fillim të pandemisë. Britania e kishte fillimisht 3 numrin R. Masat dhe distancimi social e ulën mes 0.5 dhe 0.9.
Nëse numri R qëndron nën 1, infektimet gradualisht ulen dhe pandemia vjen drejt fundit. Nëse rritet mbi 1 mund të shkaktojë një valë të dytë.
Si reduktohet numri R?
Për momentin masa më efektive për parandalimin e përhapjes së koronavirusit është distancimi social.
Gjurmimi i rasteve dhe testimet luajnë gjithashtu në kufizimin e përhapjes së virusit. Megjithatë rolin kryesor për ta ulur numrin R do ta luante vaksina.
Kujtojmë që ditën e sotme, Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri njoftoi se numri efektiv i riprodhimit të virusit ka rënë nën 1. /tvklan.al