Emisioni “Historia ime” në Tv Klan, ditën e sotme e vendosi fokusin tek një nga masakrat më të mëdha të njerëzimit. 27 Janari shënohet në kalendar si Dita Ndërkombëtare e Holokaustit.
Roli i Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë nga tmerret e holokaustit është i ditur botërisht. Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë, ku gjatë Luftës së Dytë Botërore u strehuan e gjetën shpëtim, jo vetëm hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Europës Qendrore.
Me një humanizëm tejet bujar, gati deri në heroizëm shumë familje shqiptare strehuan në shtëpitë e tyre hebrenjtë, duke i fshehur dhe duke mos i dorëzuar kurrë.
Një prej tyre është familja Qoqja, e cila ka ndihmuar dhe strehuar në shtëpinë e saj një hebre me emrin Avram. Fatos Qoqja ka treguar në studio se babai i tij ka rrezikuar jetën e gjithë familjes për të ndihmuar dhe strehuar hebreun e ardhur nga Janina e Greqisë.
Mirela Milori: Ju nuk kishit lindur, por babai juaj merr një hebre në shtëpinë e tij. Si ndodhi?
Fatos Qoqja: Avrami erdhi me rekomandim nga Vlora, nga njerëzit e tij, se kishte njerëz nga Vlora. Erdhi nga Janina e Greqisë, meqë qeveria kuinslinge greke atëhere ka çuar 1700 e ca hebrenj, në kampin e shfaqrosjes. Një miku i vet e kishte lajmëruar dhe ai kishte ikur për gjithë natën dhe ka shkuar në Vlorë. Aty ka dalë një miku i babait që e ka rekomanduar dhe ne kishim një dyqan tek 15-katëshi. Babi kishte një rrobaqepsi, kishte 10 punëtorë aty dhe ai drejtonte gjithçka. Avrami u paraqit dhe i dha letrën. Letra tregonte: Është një miku im hebre mundësisht ndihmoje sepse po ta kapin gjermanët e zhduknin. Vjen nga Janina dhe ka pësuar një tragjedi të madhe nga andej. Babai nuk e zgjati fare, janë prezantuar, u mirëkuptuan se e flisnin të dy greqishten. I tha nuk të lë këtu, por ti do vish në shtëpi.
Mirela Milori: Sa vjeç ishte Avrami në atë kohë?
Fatos Qoqja: Mendoj se ishte 25 ose 26 vjeç!
Mirela Milori: Dhe e morën në shtëpinë e tyre?
Fatos Qoqja: Babai bëri dhe një gjest tjetër, duhej ti nxirrte patjetër çertifikatën.
Mirela Milori: Avrami nuk dilte, e mbanit në shtëpi të fshehur?
Fatos Qoqja: Po e mbajti në shtëpi, por më vonë babai i bëri një çertifikatë me emrin Gani. Kur u bë gjendja shumë keq, tek dispenseria ishte një garnizon gjerman, babai e vesh si fshatar merr motrën dhe nënën time dhe Avramin dhe kalojnë. Nuk i trazuan. Pastaj shkuan në Mukje të Krujës.
Fatos Qoqja: Me mbiemrin tuaj?
Fatos Qoqja: Po me mbiemrin tonë!
Më tej, Fatos Qoqja tregon se kur Avrami do largohej i jep 500 napolona flori pët mbështetjen dhe ndihmën e dhënë, por babai i tij nuk i pranon.
Fatos Qoqja: Beqir i tha këto janë të tuat dhe të familjes tuaj. Jo në asnjë mënyrë i tha babai.
Mirela Milori: Nuk mori babai asnjë?
Fatos Qoqja: Jo! Unë ta kam bërë për miqësi, jo për para.
Babai i tij mori një dekoratë nga shteti i Izraelit për ndihmesën që dha duke mbajtur Avramin gjatë holokaustit në shtëpinë e tyre dhe një tjetër si qytetar nderi i Tel Avivit./tvklan.al