Një burrë i hidhëruar i dërgoi një letër prekëse parukieres së gruas së tij, për t’i thënë se vizita e saj për të prerë flokët ishte një nga “momentet e fundit më të mira të jetës së saj”.
Burri tregon se kishte pritur për një kohë të gjatë për ta shkruar këtë mesazh, pasi donte t’i shprehte mirënjohjen dhe t’i tregonte se pse vizita në sallon kishte një domethënie të veçantë për të.
Gruaja e tij kishte vuajtur nga probleme të renda mendore dhe Sara në sallonin e saj e kishte trajtuar në mënyrën më të mirë.
Ai thotë se ata u lejuan të uleshin pranë njëri-tjetrit dhe kur erdhi radha e gruas së tij për të prerë flokët, ata e kthyen karrigen e saj përballë me të, në mënyrë që të mund të shikonte reagimin e saj.
Gruaja e kishte pëlqyer aq shumë modelin e flokëve, saqë në ditët e fundit të jetës së saj ajo u ndie një femër e bukur.
“E dashur Sara,
Kjo është pak e çuditshme, por kam pritur për një kohë të gjatë që të të shkruaja një mesazh të tillë. Unë dhe gruaja ime erdhëm në sallonin tënd për të prerë flokët përpara krishtlindjeve të vitit të kaluar. Gruaja ime po vuante nga një sëmundje e rëndë mendore dhe ti e trajtove atë sikur të kishe punuar gjithë jetën me pacientët që kanë një sëmundje të tillë. Ju na lejuat që të uleshim afër njëri-tjetrit dhe kur erdhi koha që ajo të priste flokët ju e kthyet karrigen drejt meje në mënyrë që të shikoja reagimin e saj ndërkohë që priste flokët. Prerja doli më mirë seç e kisha pritur. Fatkeqësisht ajo vdiq në Mars dhe ajo prerje flokësh ishte një nga momentet më të bukura të saj në fund të jetës së saj. Ajo u ndie shumë e bukur, saqë shpesh herë shkonte tek pasqyra e tualetit për të parë veten e saj edhe dilte nga aty shumë e kënaqur. Ta shikoja atë të lumtur ishte diçka shumë e çmueshme për mua.
Duke u kthyer pas në atë ditë, ju bëtë një numër të madh prerje të flokëve në sallonin tuaj, por tek njëra ju rigjallëruat ndjenjën e një gruaje për bukurinë e saj. Shpresoj të jesh e vetëdijshme për fuqinë e profesionit tënd.
Sinqerisht,
Një klient mirënjohës”, shkruante ai./tvklan.al