Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Çështja e plehrave, me një propozim të veçantë nga lëvizja Mjaft ka mbërritur në komisionin e ligjeve. Të gjithë janë në dilemë të marrëveshjes që po negocion qeveria për importimin e plehrave, përdorimi apo asgjësimi i tyre. Ndaj Mjaft kërkon të lëviz parlamentarët për të kaluar një moratorium që ndalohet importimi i mbetjeve.

Erion Veliaj: “Duhet të vazhdojmë lobingun gjatë gjithë ditës së sotme dhe të nesërme me deputetë të të gjitha palëve. Besoj që rëndësia është e dyfishtë e kësaj dispozite, e para është për çështjen në fjalë, do të parandalonte sa nuk është vonë një katastrofë të mundshme në çështjen mjedisore, e dyta, besoj që ka një kuptim akoma dhe më të madh, do të tregojë, deputetët e parlamentit shqiptarë do të kenë një sprovë për të treguar, se realisht interesat kujt mbrojnë”.

Moratoriumi që kërkohet të kalojë në parlament ndalon importimin e mbetjeve, apo i lëndës djegëse me prejardhje nga mbeturinat për përdorim si karburante, apo mënyra të tjera për prodhimin e energjisë.

Arbjan Mazniku: “Ne mendojmë që ka nevojë për diçka që është e vogël, themeltare, por dhe që zgjidh në mënyrë afatgjatë problemin e importit të mbetjeve për djegien e inceneratorëve. Vendi jonë vendoset përballë një rreziku të tipit, që të bëhet një kosh plehrash jo vetëm nga rasti konkret nga një kompani italiane, nesër mund të dalin kompani të tjera”.

Kryetari i komisionit të ligjeve ka treguar mbështetjen e tij ndaj kërkesës së lëvizjes Mjaft, duke sugjeruar ngritjen e një lobingu me deputetë për ta zgjidhur këtë çështje.

Spartak Braho: “Do ta bisedojmë me grupin e këshilltarëve të mijë, për të bërë një draft, për një amendament, shoqëruar me dispozitën përkatëse, që ne ta fusim me procedurë të përshpejtuar në parlament”.

Mjaft do të testojë e vërë në provë parlamentarët, se sa do të dëgjohet zëri i qytetarëve në parlament mbi atë personal të politikanëve./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti