Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Fasha e zisë për tragjedinë e klandestinëve është spostuar në rrugë. Kjo pasi protestave të Lëvizjes Mjaft i është vënë kufiri, se ku duhet të ndezin qirinjtë.

Besjan Pesha:- “Të vazhdojmë protestën tonë, do të jemi sot deri në darkë do të jemi nesër përsëri”.

Ndryshe nga ditët e mëparshme, mbi Lëvizjen Mjaft po ushtrohet presion nga policia në mënyrë që të ndërpritet tubimi përpara kryeministrisë, duke nxjerrë justifikime, se protesta është e paligjshme.

Arbjan Mazniku:- “Ne kemi lajmëruar policinë para dy ditësh, që kjo protestë do të vazhdojë dhe do të jetë e vazhdueshme këtu për kohë të gjatë”.

Lëvizja Mjaft është e indinjuar nga qëndrimi i kryeministrit të vendit, i cili ndonëse i kthyer dy ditë me vonesë për ngjarjen e Karaburunit, ia delegon fajin vetëm strukturave të rendit dhe shërbimeve inteligjente. Ndaj Lëvizja Mjaft kërkon falje publike të kryeministrit Nano. Gjithashtu ftohen të gjithë qytetarët të bashkohen ditën e premte në orën 5 të pasdites, përpara kryeministrisë të kërkojnë përgjegjshmëri e atyre që na qeverisin./tvklan.al