Është pikërisht mesi i muajit Gusht, një ditë e veçantë për qytetin e Lezhës dhe lezhjanët, të cilët prej vitesh festojnë ditën e shtegtarëve, për të kujtuar të gjithë ata shqiptare që shtegtuan nëpër botë shumë vite më parë në kërkim të një jete më të mirë.

Në këtë ditë të shënuar, edhe Maratona e Këngës Popullore e Qytetare ndalet për të dytin vit në qytetin e Lezhës.

Një staf i tërë i Televizionit Klan dhe Promotor janë instaluar në qendër të qytetit, pranë objekteve kult të Lezhës. Këto momente tregojnë përgatitjet për koncertin.

Bashke me aktivitetet kushtuar ditës së emigrantit maratona i ka nxjerrë në shesh lezhjanët, për të festuar dhe dëfryer.

Me koncertin në Lezhë maratona shënon natën e 11 të shtegtimit të saj nëpër Shqipëri e jashtë saj.

Edhe për publikun e ngrohtë të Lezhës që mbushi sheshin qendror të qytetit u ngjitën në skenë një larmi këngësh hite të maratonës.

Enkelejda Allushi: “Emocionet ndryshojnë nga njëra-tjetra, sepse dhe qytet janë të ndryshme. Megjithatë mund të them që emocionet sa vjen dhe rriten sepse edhe pritja që bëjnë qytetarët, artdashësit gjithnjë vjen duke u rritur”.

Hysni Allushi: “Ishte hera e parë që ne në maratonën e 4 marrim pjesë, dhe unë ndjehem shumë mirë”.

Skifter Et’hemi: “Është një kënaqësi të jesh në mesin e shumë artistëve dhe kjo më shtyu që dhe unë të jem afër shokëve dhe miqve të mi”.

Saimir Çili: “Do thoja që është një privilegj për të gjithë këta qytetar ku ne shkojmë, që të dëgjojnë këngë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe vjen një falënderim për stafin e TV Klan dhe promotor për këtë organizim shumë të bukur që mbajnë këngën popullore gjallë dhe sigurisht ne mundohemi, ne këngëtarët e muzikës së lehtë që të risjellim ose të sjellim këngë me të vërtetë shqiptare, këngë të bukura nga populli jonë”.

Mëse 50 këngëtare të maratonës u ngjitën në skenën e Lezhës për të përcjellë këngët e trevave të tyre, këngë të njohura dhe të reja të përpunuara, që kanë patur sukses edhe në skenat ku maratona e këngës popullore ka rrugëtuar. Ndaj dhe mbërritja e maratonës në Lezhe, ishte lajtmotiv i kësaj dite feste.

Viktor Tushaj: “Është viti i katërt që ne organizojmë festën e shtegtarit. Besoj që Maratona e Këngës popullore ka qenë një pasuri e jashtëzakonshme për ditën e shtegtarit. Pasi qyteti i Lezhës, qytetarët lezhjanë e duan këngën popullore dhe maratona e juaj, maratona e këngës popullore ka qenë një gjetje e bukur për të abonuar, për ta përshtatur pikërisht në këtë festë”.

Maratona e Këngës Popullore ne Lezhe, për t’iu qasur edhe kësaj dite të shtegtarëve, u ndërthur me aktivitetin e bashkisë së qytetit.

Përveç këngëtareve të Maratonës u ngjiten në skenë dhe këngëtarë të muzikës së lehte, apo këngëtarë nga qyteti i Lezhës, në një Koncert, që mbajti për mese katër orë lezhjanet në shesh.

Por, maratona ende vazhdon rrugëtimin e saj. Tashmë ajo do të zbresë drejt Jugut, për t’u ndalur në Patos, duke e zgjeruar edhe më tej gjeografinë e shëtitëse me këngë popullore e qytetare në këtë verë./tvklan.al

Gazetar: Irma Toptani