Njihet ndryshe si “Bilbili i Labërisë” dhe bëhet fjalë pikërisht për këngëtaren e njohur Irini Qirjako. Zëri i saj i veçantë ka bërë për vete publikun dhe ka pushtuar për vite me radhë skenat e festivaleve dhe aktiviteteve të ndryshme muzikore.

Pa doreza dhe me energjinë që e karakterizon Irini Qirjako jo pak herë ka ndarë me publikun pak nga jeta e saj personale.

E ftuar pasditen e kësaj të premteje në studion e “Rudina” në Tv Klan,  kësaj here këngëtarja mjaft e dashur tregon për herë të parë pasionin e saj. Duke sjellë në studio disa nga punimet e saj Irini Qirjako flet për pasionin e saj, qëndistarinë.

Rudina Magjistari: Duke e njohur Irinin më shumë, duke zbuluar ato të pathënat në fakt të cilat nuk i ka ndarë ende më herët me publikun. Por, ndërkohë një pasion shumë i veçantë i Irini Qirjakos qenka qëndisja. Unë u habita shumë kur e mësova.

Irini Qirjako: Nuk kam folur asnjëherë.

Rudina Magjistari: Ndërkohë ti ke qëndisur shumë gjëra në shtëpi, shumë centro e mbulesa të cilat i ke punuar vetë.

Irini Qirjako: Po vetë. Unë kam bërë dhe pajat e kunatave, dy kunatave të vogla. Kam qëndisur çarçafë, çentro e çfarë nuk kam bërë.

Rudina Magjistari: Paja jote kushedi si ka qenë e pasur me shumë gjëra. Ruan ndonjë gjë nga paja jote akoma?

Irini Qirjako: Po ruaj, kam këllëfët e jastëkut dhe çarçafin që kam qëndisur me duart e mia.

Këngëtarja tregon se që në moshë të vogël ka mësuar që të qëndisë dhe për këtë e ka nxitur nëna e saj.

Irini Qirjako: Nëna ime nuk ka ditur fare që të qëndisë sepse është rritur jetime dhe shikonte të gjitha gratë e tjera që dinin e më vuri mua të mësoja. Më linte një orë që të qëndisja. Ma bënte me normë dhe më thoshte “kështu të mësosh të qëndisësh, të bëhesh vajzë e mbarë dhe t’i dish të gjitha”./tvklan.al