Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca është shprehur e keqardhur për mënyrën se si është pritur ardhja e emigrantëve në kampin e Gjadrit. Për gazetarin Drini Zeqo, në studion e Klan News, Ballanca bëri të ditur se protestat qytetare kundër emigrantëve nuk ishte reagimi i duhur, pasi nuk është hera e parë që kemi emigrantë në Shqipëri. Madje, sipas Avokates së Popullit, ka pasur nga ata persona që kanë kërkuar më herët azil brenda Shqipërisë.
Shifrat, sipas zyrtares, tregojnë për 66 emigrantë në vitin 2021, 125 në 2022, 260 në 2023, si dhe 85 deri më tani për vitin 2024. Në vijimësi, Ballanca kërkoi ndryshimin e mentalitetit shoqëror bazuar në të kaluarën historike dhe ndjeshmërinë e shqiptarëve si një popull që e ka vuajtur vetë dikur emigracionin.
Pjesë nga intervista:
Drini Zeqo: Më vjen keq sepse ne kemi qenë popull emigrant…
Erinda Ballanca: Po kemi emigruar shumë dhe duhet ta ndryshojmë pak mentalitetin dhe psikologjinë dhe më erdhi shumë keq që pati protesta në trajtimin e emigrantëve. Do kërkoja që emigrantët nëse kanë një problematikë të mos shkojnë nga një vend në tjetrin, nga një qendër në tjetrën për të gjetur të drejtën e tyre të cilën ata pretendojnë. Ne kemi persona që kanë kërkuar azil brenda në Shqipëri sa iu përket emigrantëve. Kanë qenë 66 emigrantë në vitin 2021, 125 në 2022, 260 në 2023, si dhe 85 deri më tani për vitin 2024. Arsyet unë nuk i di sepse janë individuale, personale, por në 2020 nuk ka patur për shembull. Dua të theksoj se në këto shifra nuk hyjnë ata persona emigrantë për të cilët Shqipëria ka një marrëveshje, gjendje e lejimit të përkohshëm si në rastin e Ukrainës./tvklan.al