Ngjarjet e fundit të vrasjeve, plagosjeve dhe dhunës në shkolla kanë alarmuar autoritetet arsimore dhe ato lokale në Lezhë. Siguria në shkolla ishte temë e një takimi mes përfaqësuesve të institucioneve, ku veçanërisht u vu theksi te bashkëpunimi për të denoncuar rastet.

“Fëmijë me pistoletë siç ishte rasti në Vlorë dhe është shumë e rëndë”, tha Gjergj Prendi, prefekt i qarkut Lezhë.

Rastet e kriminalitetit me objekt të mitur janë shtuar.

“Kryesisht janë çështje që kanë të bëjnë me prodhimin ose shitjen e narkotikëve, armëmbajtje pa leje, drejtimin e automjeteve pa dëshmi, mbajtjen e dorezave e shumë të tjera”, tha prokurorja, Denisa Perdja.

Si masë parandaluese shumë shpejt do të bëhet edhe pajisja e shkollave me kamera.

“Ne do të evidentojmë rastet, kush janë nxënësit që shfaqin sjellje delikuente në shkollë. Do ta gjejmë dhe mënyrën e financimit për pajisjen me kamera të gjitha shkollave me efekt parandalues,” tha kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu.

Po ashtu është rritur edhe numri i oficerëve të sigurisë në këto institucione.

“Lezhës do i shtohen dhe 5 oficerë të tjerë sigurie, çka do të thotë se pas Dhjetorit të 2024-ës pesë shkollave të Lezhës do u shtohet edhe 5 oficerë sigurie”, tha Hasan Muça, kreu i Drejtorisë Arsimore, Lezhë.

Takimi erdhi pak ditë pasi një adoleshent plagosi shokun e tij në një gjimnaz në Cakran të Fierit dhe një i mitur u arrestua teksa lëvizte me një armë zjarri. Ndërkohë kujtojmë se rreth 1 muaj më parë një 14-vjeçar u vra me thikë nga një bashkëmoshatar i tij te shkolla “Fan Noli” në Tiranë.

Klan News