Për kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu, asetet historike dhe kulturore duhet të administrohen nga pushteti vendor.

Në një takim për trashëgiminë kulturore, ai tha se ka nisur punën edhe me ndërmjetësimin e Kryeministrit Edi Rama, në mënyrë që kjo gjë të ndodhë, pasi do t’i jepte më shumë zhvillimit të turizmit në Lezhë.

Pjerin Ndreu: Ka një diskutim mes nesh dhe Ministrisë së Kulturës me ndërmjetësimin e Kryeministrit, në kemi kërkuar që në te jemi si pushtet lokal administruesi.

Për Ndreun, Lezha nuk vizitohet vetëm për detin, por edhe për historinë e saj.

Pjerin Ndreu: Objektet arkeologjike janë asete turistike sot, jo këtu, por në të gjithë botën. Dhe në kuptimin e zhvillimit të turizmit na ka bërë një nder shumë të madh, sepse nëse sot vijnë vizitorë në Lezhë, nuk vijnë vetëm për detin. Problemi është se ne nuk i administrojmë të gjitha asetet.

I vetmi objekt historik që administrohet nga bashkia është vendvarrimi i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, i cili rezulton ndër asetet më të kërkuara për vitin 2024, ku numri i vizitorëve arriti në 24.500 persona.

Tv Klan