Për t’i dhënë më shumë zhvillim turizmit në Lezhë, asetet historike dhe kulturore duhet të administrohen nga pushteti vendor. Një kërkesë e tillë erdhi nga kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu, i cili i kërkon qeverisë ndërhyrje ligjore për të realizuar këtë hap.

“Problemi këtu është se ne si pushtet lokal nuk i administrojmë disa nga asestet. Ka një diskutim midis nesh dhe Ministrisë së Kulturës me ndërmjetësimin e kryeministrit ne kemi kërkuar që ne të jemi si pushtet lokal administruesit e kalasë. Ne sot kemi një projekt i cili do të zbatohet së shpejti është muzeu arkeologjik që ne kemi fituar me fondet e BE-së, në kala. Kalaja është shumë e thatë, pra është një ngërç. Por, që në të hyjmë në një zhvillim të tillë duhet të dimë se si, kur, qysh e çfarë do të bëjmë”, tha kryebashkiaku Pjerin Ndreu.

I vetmi objekt historik që administrohet nga bashkia është vendvarrimi i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, i cili rezulton ndër asetet më të frekuentuara për vitin 2024, ku numri i vizitoreve arriti në mbi 24,500 persona.

Objektet e tjera të trashëgimisë kulturore, përfshirë dhe kalaja mesjetare e qytetit, janë shumë pak të vizituara, pasi ka munguar vëmendja për t’i mirëmbajtur dhe promovuar.

Klan News