Libani dhe Izraeli mund arrijnë një dakordësi brenda disa ditësh. Kryeministri libanez ka deklaruar se ekziston një plan i tillë për një një armëpushim fillestar 60-ditor.

Dokumenti, për të cilin mediat izraelite shkruan se ishte një propozim i zbuluar nga Uashingtoni, thotë se Izraeli do të tërheqë forcat e tij nga Libani brenda javës së parë të armëpushimit. Kryeministri Najib Mikati ka qenë i pashpresë për një zgjidhje të shpejtë deri pas zgjedhjeve presidenciale të 5 Nëntorit, por tashmë është optimist pas bisedës me të dërguarin e SHBA për Lindjen e Mesme Amos Hochstein.

Ndërkaq udhëheqësi i ri i Hezbollah, Naim Qassem në fjalimin e tij të parë, tha se grupi i armatosur libanez do të vazhdojë luftën me Izraelin.

“Ne do të ndjekim axhendën e vendosur nga, Hassan Nasrallah”, ka thënë ai.

Ndërkohë nuk ndalen sulmet e Izraelit në Liban ku nga sulmi i fundit në qytetin lindor të Baalbek u vranë disa persona.

Ushtria izraelite ka lëshuar një tjetër urdhër evakuuimi të detyruar për Libanin jugor, për banorët e 10 qyteteve dhe fshatrave.

Ndërkaq OKB-ja ka raportuar se misioni i saj paqeruajtës në Liban ka regjistruar mbi 30 incidente me ushtrinë izraelite, disa prej të cilave ishin të qëllimshme.

Klan News