Liberalizimi i vizave për vendin tonë do të ndikojë pozitivisht në ekonominë shqiptare. Në këtë konkluzion del Selim Belortaja, zëvendësministër i Jashtëm dhe njëherazi ekspert i fushës ekonomike. Për Belortanë një hap i tillë do të shoqërohet me shtimin e investimeve të huaja.
Selim Belortaja: “Këtu nuk kemi thjesht të bëjmë me një realizim të procesit të lëvizjes së njerëzve, por kemi të bëjmë me një certifikim të imazhit të vendit. Imazhi i vendit është gur themelor për vendimin investues. Pa diskutim që do të rriten shumë edhe investimet e huaja për arsye sepse do të lindin ide të reja partneriteti.”
Edhe aspekti tregtar do të reflektojë liberalizimin e vizave. Belortaja parashikon rritje të eksporteve shqiptare.
Selim Belortaja: “Padyshim që do të kemi një përmirësim të fluksit të mallrave në drejtim të eksportit. Për këtë arsye them se do të kemi edhe një përmirësim të shifrës së eksportit, ndoshta dhe të bilancit të eksportit me importin. Sigurisht që kjo do të shoqërohet dhe me një rritje të fluksit të importit. Unë do të thosha që kjo do shënohet në një rritje të cilësisë së mallrave të importuara. Për arsye se do të rritet konkurrenca mes mallrave të importit.”
Por a rrezikohet biznesi vendas nga hapja e kufijve? Shembujt e fqinjëve tanë tashmë me një regjim të liberalizuar, sipas Belortasë është tregues që ky proces nuk do të dëmtojë biznesin vendas.
Selim Belortaja: “Nuk po vërehet ndonjë bum dalje të monedhës së vendit tyre për të bërë shopingje jashtë vendit në tregjet e zhvilluara si rezultat i liberalizimit të vizave, se kjo është frika kryesore. Që me liberalizimin e vizave njerëzit do të nisen dhe do të shkojnë të bëjnë pazarin në Itali, në Greqi, në Gjermani, në Francë dhe jo këtu dhe kjo do të dëmtojë për këtë arsye biznese tregtare vendase. Eksperienca nuk po e vërteton këtë gjë.”
Numri 2 i diplomacisë shqiptare garanton dhe një herë se brenda gjysmës së parë të viti shtetasit shqiptar do të lëvizin lirisht në Bashkimin Europian./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro