Erdhi vera dhe bashkë me të edhe pushimet. Në det, liqen apo mal të gjithë të lodhur nga puna, nxitojmë të pushojmë, të marrim rreze apo thjesht të çlodhemi. Por pa harruar që në valixhe të kemi dhe një mik të vjetër, librin. Ka nga ata që gjatë gjithë vitit kanë gjetur kohën që të shfletojnë, ka nga ata që ndoshta nuk kanë gjetur kohën, mundësinë dhe dëshirën, por pushimet ta rikthejnë në duar librin dhe ndoshta në momentet e pushimit, historitë e librave bëhen edhe miqtë tanë më të mirë.  

Shumë botues pohojnë se pas panaireve, stina e verës është periudha kur shitja e librave pëson rritje të ndjeshme. Kjo përsa i përket shitjeve, ndërsa për titujt shumë mendojnë njerëzit gjatë stinës së verës kanë nevojë për histori të thjeshta, romane me histori dashurie dhe suksesi. Madje rritje ka patur dhe shitja e romaneve apo historive erotike. Edhe pse gjithçka nuk është e prerë me thikë, lexuesit e rregullt duket se nuk heqin dorë nga preferencat e librave që kanë lexuar përgjatë gjithë vitit.

Me kalimin e viteve dhe ndryshimi që ka pësuar tregu i librit, edhe në Shqipëri me afrimin e pushuesve, shtëpitë botuese nxitojnë të njohin publikun me titujt e verës, kryesisht përkthime të letërsisë moderne.

Shumë prej librave që botohen në këtë stinë shoqërohen me kritikën dhe publicitetin e duhur dhe shume shpejt bëhen të dashur për publikun. I rikthyer në trend tashmë në pishinat më të frekuentuara apo plazhet kudo qofshin, të rinjtë duket se i janë rikthyer leximit. Vajza dhe djem të rinj, por edhe njerëz në moshë i kalojnë orët e nxehta duke shfletuar historitë e preferuara.

Autorët, përkthyesit dhe botuesit kanë vetëm një shqetësim gjatë kësaj stine, se cilët nga librat do të jenë më të pëlqyerit, cilat histori kanë dëshirë të lexojnë shqiptarët dhe a do ketë kjo verë një titull të posaçëm, të pëlqyer nga të gjithë.

Për të disktuar se përse i kushtohet më shumë kohë librit pikërisht gjatë kësaj stine dhe se cilët janë librat e verës, në emisionin “Opinion” ishin të ftuar përkthyesja Mirela Kumbaro, botuesja Irena Toçi, botuesja Arlinda Dudaj, shkrimtari Preç Zogaj, analisti Fatos Lubonja dhe shkrimtari Virgjil Muçi./tvklan.al