Tërheqja nga gara presidenciale e Joe Biden ka shkaktuar një valë reagimesh në rradhët e politikës dhe jo vetëm.
Me një deklaratë në rrjetin X, ish-presidenti demokrat Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij, ish-kandidatja për presidente Hillary Clinton vlerësuan karrierën e jashtëzakonshme të presidentit Biden dhe dhanë mbështetjen e tyre për kandidimin e nënpresidentes Harris.
Edhe ish-Presidenti Barack Obama shprehu vlerësimin e tij për Presidentin Biden.
“Fakti që ai e pa relievin politik të krijuar dhe arriti në përfundimin që t’ia kalojë pishtarin një kandidati të ri është padyshim një nga vendimet më të vështirat në jetën e tij. Por unë e di që ai nuk do ta merrte këtë vendim nëse nuk do të besonte se ishte vendimi i duhur për Amerikën,” theksoi Obama në deklaratën e tij.
Ndërsa guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, e cilësoi Bajden një president të jashtëzakonshëm. Reagime nuk pati vetëm nga politika amerikane por edhe nga liderë të huaj.
Kryeministri kanadez Justin Trudeau, shkroi në rrjetet sociale se presidenti Biden është një njeri i shkëlqyer dhe udhëhiqet nga dashuria e tij për vendin.
Kancelari gjerman Olaf Scholz shkroi se presidenti Biden ka arritur shumë për vendin e tij, për Evropën, për botën.
“Falë tij, bashkëpunimi transatlantik është i ngushtë, NATO është e fortë dhe SHBA-ja është një partner i mirë dhe i besueshëm për ne. Vendimi i tij për të mos kandiduar më, meriton mirënjohje”, shkroi kancelari gjerman.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, reagoi duke thënë: Ukraina i është mirënjohëse presidentit Biden për mbështetjen e tij të palëkundur për luftën e Ukrainës për liri, e cila, së bashku me mbështetjen e fortë dypartiake në Shtetet e Bashkuara, ka qenë dhe vazhdon të jetë thelbësore.
Ndërkohë, ukrainasit kundërshtojnë kandidaturën e Trump. Ata thonë se Biden ka bërë shumë për Ukrainën.
Andriy, banor i Kievit: Ka shumë tregues se Trump nuk do ta ndihmojë shumë Ukrainën, jo siç bëri Biden, i cili ndonjëherë ishte i ngadaltë, por ndërmori hapa të rëndësishëm.
Ndërsa rusët e intervistuar nga gazetarët e agjencisë Reuters në qendër të Moskës shprehën shpresë dhe indiferencë kur komentuan vendimin e Presidentit të SHBA Joe Biden për të mos kërkuar një mandat të dytë.
Alla Gorevanova, banore në Moskë: Unë mendoj se marrëdhëniet do të ndryshojnë për mirë. Trump mund të ndalojë furnizimin me armë në Ukrainë dhe, ndoshta, lufta do të ndalojë . Kjo është ajo çfarë shpresoj të ndodhë.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka deklaruar se Moska është më e përqendruar në fitoren e luftës në Ukrainë sesa në rezultatin e zgjedhjeve amerikane.
Klan News