“Nuk zbresim në fushë nëse nuk plotësohen kërkesat”
5 ditë pasi morën vendimin për të mos dalë në fushë nëse nuk iu plotësohet kërkesat mbi ligjin për sportin dhe sponsorizimet, klubet e Ligës së Futbollit ndërmarrin një tjetër hap.
Me anë të një shkrese zyrtare, i janë drejtuar kryeministrit të vendit Edi Rama dhe Kuvendit të Shqipërisë duke i përsëritur kërkesat e tyre për përfshirjen e veprimtarive të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6%, faljen e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet fiskale të klubeve dhe zgjatjen e periudhës së përjashtimit nga tatim-fitimi mbi të ardhurat personale të futbollistëve, nga 2 në 10 vite.
Sipas 10 klubeve të ligës profesioniste, pandemia nxori në pah vështirësitë ekonomike me të cilat ato përballen çdo vit. Për ta e ardhmja është pesimiste dhe ligji për sportin dhe sponsorizimet të miratuara pak kohë më parë në Kuvend nuk sjellin asnjë ndihmë.
Liga Profesioniste e Futbollit nuk heziton t’i kujtojë edhe kryeministrit dhe Kuvendit se në raste se kërkesat nuk do të merren në konsideratë klubet do ta kenë të pamundur financiarisht të vazhdojnë veprimtarinë e tyre dhe do të jenë të detyruara të mos marrin pjesë në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore që pritet të fillojë më 12 Shtator 2020.
Ligji për sportin dhe sponsorizimet prek të gjitha federatat, por vetëm komuniteti i futbollit po kërkon fort ndryshime duke i bërë presion autoriteteve qeveritare dhe institucioneve ligjvënëse.
Tv Klan