Gjykata e Posaçme la në fuqi 8 masa sigurie për ata që u vunë nën hetim nga SPAK në dosjen ku u godit, ajo që hetuesit e konsiderojnë organizata e Suel Çelës, ky i fundit në kërkim. Masa e sigurisë ndryshoi vetëm për avokaten Blerina Beqiri, nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur”. Në të njëjtën masë sigurimi, “detyrim për tu paraqitur” do të vijojnë të hetohen edhe dy gazetarët, Elton Qyno dhe Artan Hoxha.
Të hënën në mëngjes, SPAK në bashkëpunim me policinë dhe disa vende të Bashkimit Europian zhvilloi një operacion në përmbyllje të hetime e për organizatën kriminale me bazë qytetin e Elbasanit që thotë se drejtohej nga Suel Çela.
Nga hetimet e bazuara në aplikacionin Sky, Prokuroria thotë se zbardhi tentativën e vrasjes ndaj Ardian Çapjas në 2020, dy plane atentatesh ndaj njerëzve të tij, 2 raste të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt BE, të kryera nga organizata.
Gjithashtu, SPAK thotë se gjeti lidhje mes kësaj organizate dhe njerëzve të sistemit të drejtësisë, policisë dhe medias, duke ngritur dyshime se janë korruptuar në mënyrë që t’u shërbenin atyre dhe qëllimeve kriminale.
Tv Klan