Lionel Messi është zgjedhur si lojtari më i mirë i Mexhor Ligë Soker për vitin 2024. Argjentinasi mori shumicën e votave për çmimin prestigjoz individual, për të rrëmbyer një tjetër trofe në karrierën e gjatë dhe të suksesshme të tij.

Tetë herë fituesi i “Topit të Artë” dhe kampioni i Botës me kombëtaren Albiceleste u shpreh mjaft i lumtur për këtë vlerësim, teksa para më shumë se 250 lojtarëve të akademisë së Inter Miami, mes të cilëve edhe tre djemtë e tij, premtoi se skuadra do të rikthehet më e fortë dhe konkuruese për titull sezonin e ardhshëm.

“Do të kisha dashur ta merrja këtë çmim në një situatë tjetër, duke qenë në gjendje të luaj në finalen e [MLS Cup] të shtunën. Por kjo është edhe ajo që ka të bëjë futbolli, duke e mposhtur veten çdo ditë”, tha Messi. “Ne kishim një ëndërr të madhe për të qenë kampionë të MLS-së këtë vit. Nuk ndodhi. Por vitin e ardhshëm, ne do të kthehemi më të fortë dhe do të provojmë përsëri. Për këtë bëhet fjalë.”  

Messi bëhet lojtari i pestë argjentinas që kurorëzohet si më i miri i kampionatit amerikan dhe i vetmi lojtar në historinë 5-vjeçare të Inter Miami. 36-vjeçari ka regjistruar statistika interesante me skuadrën nga Florida, duke shënuar 34 herë në 39 ndeshje për të qënë edhe golashënuesi më i mirë i ekipit.

Ish-lojtari i Barcelonës dhe PSG, ka shënuar 20 herë në këtë sezon, mbi të gjitha ku humbi rreth 2 muaj për shkak dëmtimi. Megjithatë, kjo nuk e pengoi për të realizuar dhe asistuar, me një efikasitet prej 2.1 goli çdo 90 minuta përgjatë vitit 2024.

Klan News