Neymar u rikthyer në vendlindje ku do të luajë për Santos. Vendimi ishte i papritur pasi mendohej se ai do të bashkohej me Messi dhe Suarez tek Inter Miami. Por tashmë tek ish-klubi ku ai u bë i njohur si futbollist duhet të japë më të mirën dhe të rigjejë formën e humbur për shkak të dëmtimeve.

Ka vetëm një problem. Shtëpia e Neymar në Brazil ndodhet në Mangaratiba, një qytet në shtetin brazilian të Rio de Janeiro, rreth 300 kilometra larg qendrës stërvitore të Santos. Për të shkurtuar distancën dhe për të mbërritur në kohë në stërvitje, futbollisti po përdor helikopterin që bleu disa vite më parë.

Përfaqësuesit e tij po punojnë për blerjen e një vile në një zonë elitare të Santos, një qytet në shtetin e Sao Paulos. Por derisa të ndodhë kjo, helikopteri do të jetë mjeti i tij i transportit për në “vendin e punës”.

Lumturia e tifozëve dhe drejtuesve të klubit për rikthimin ishte aq e madhe sa Neymar mori fanelën më numrin 10, të cilën dikur e kishte veshur futbollisti më i madh brazilian i të gjitha kohërave, Pele.

Neymar ishte vetëm 17 vjeç kur bëri debutimin e tij për ekipin e parë të Santos në vitin 2009, nga ku u transferua te Barcelona në vitin 2013.

Tv Klan