Lajme Arkiva – TV Klan 2003
I ndaluari si personi që ka shkruar letrat kërcënuese për vendosjen e bombës në një nga avionët e linjës hungareze Malev është i sëmur psikik. Kjo është arsyeja që policia ka vendosur ta liroj Shkëlqim Taren nga dhoma e shoqërimit.
Burimet zyrtare thanë, se pas një kontrolli të kryer nga mjekët psikiatër, ka rezultuar se Tare ka probleme serioze nervore. Ai doli nga dhomat e shoqërimit në polici, ende pa u paraqitur në gjykatë për masën e sigurisë. Kjo masë do të vendoset në një nga ditët e ardhshme, ndërsa burimet sqaruan se punonjësit e policisë e kanë parë të arsyeshme të lënë të lirë Taren, pas konfirmimit se ai është i sëmur psikik.
Sh. Tare u ndalua pak orë pas lajmërimit se në Aeroportin e Rinasit, në një prej avionëve të linjës Malev është vendosur një bombë. Ky informacion u bë i ditur nga ambasada hungareze, e cila kishte marrë një letër anonime me këtë kërcënim. Pas verifikimeve na grupe të përforcuara të policisë, rezultoi se alarmi qe i rrem.
Sh. Tare ka qenë emigrant për disa vite në Itali. Ai ka kryer dënimin me 5 vjet burg në Itali dhe më pas është transferuar në Shqipëri, ku herë pas here ka dërguar letra anonime në ambasada të ndryshme me të njëjtat kërcënime./tvklan.al