Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Janë shtuar lajmërimet për vendosje bombe, që më pas rezultojnë të rreme. Pas frikës së djeshme në aeroportin “Nënë Tereza”, e një lajmërimi të njëjtë për shkollën e mesme “Arben Broci”, “Petro Nini Luarasi” ishte gjimnazi i radhës. Mbi dy mijë nxënësit e shkollës së mesme janë nxjerrë me forcë nga auditorët pas lajmërimit, që i është bërë policisë për vendosje bombe në këto ambiente.

Telefonata e paidentifikuar ka vënë në alarm jo vetëm policinë, por edhe nxënës e mësues. Megjithëse të mësuar me alarme të tilla, frika ekziston. Gjithçka ka ndodhur në mesditë rreth orës 12:15 minuta, ku kanë mbërritur forcat e rajonit numër 2 të kryeqytetit, së bashku me tre qenë anti-eksploziv.

Janë kontrolluar për një orë klasat dhe ambientet jashtë shkollës, por më kot edhe këtë herë duke e quajtur fat, mosvendosjen e lëndëve plasëse, lajmërimi rezultoi të ishte i rrem. Vetëm vitin e kaluar në këtë shkollë janë bërë tre lajmërime të tilla. Versioni i policisë ka qenë, se telefonatat bëhen nga nxënës, për të shpëtuar nga ndonjë provim i radhës./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti