Prokuroria kërkoi “arrest shtëpie” për mungesë provash
Një 60-vjeçar që u arrestua nën akuzën se ngacmoi seksualisht një vajze të mitur, vetëm 13 vjeç, është lënë i lirë.
Arben Shena la qelinë ku qëndroi për 3 ditë, pasi vetë Prokuroria e Kavajës kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, kërkesë e cila u pranua nga gjykata.
Vajza e mitur tregoi në polici, në praninë e një psikologeje, se 60-vjeçari Shena, i cili është fqinj me familjen e saj në një prej fshatrave turistike përgjatë bregdetit të Kavajës, e kishte prekur në vende intime.
I kishte kërkuar të shëtisnin bashkë dhe vajza kishte pranuar për shkak se ai ishte i njohur i familjes. Kur ishin gjendur larg vëmendjes së pushuesve të tjerë, kishte nisur ta ngacmonte.
Vajza ka mundur të largohet dhe i ka rrëfyer menjëherë nënës së saj për ngjarjen e rëndë. Sëbashku i janë drejtuar Policisë së Kavajës ku kanë bërë denoncimin.
Policia e arrestoi 60-vjeçarin Arben Shena, nën akuzën për ngacmim seksual ndaj një të mituri, një vepër, e cila dënohet nga 3 deri në 7 vjet burg.
Shena i ka mohuar akuzat, ndërsa prokuroria ka argumentuar se nuk ka prova që vërtetojnë akuzën, duke mos i besuar versionit të së miturës, ndonëse psikologia që ka asistuar të miturën gjatë denoncimit, ka konfirmuar se versioni i 13-vjeçares ishte i besueshëm.
Ai do të qëndrojë në arrest shtëpie deri në përfundim të hetimeve, një vendim që ka befasuar prindërit e vajzës së mitur.
Tv Klan