Alfred Beleri la mëngjesin e kësaj të hëne ambientet e burgut të Fierit, ku vuan dënimin me 2 vite heqje lirie, për te udhëtuar drejt Strasburgut ku do të betohet si eurodeputet.

Në dalje të burgut është pritur nga familjarët dhe një makinë e ambasadës greke.

Mediat greke i falenderoi për mbështetjen, ndërsa atyre shqiptare u tha se do fliste në Athinë.

Por nga aeroporti i Rinasit prej nga udhëtoi drejt Athinës, deklaroi se ndaj tij ishte zhvilluar një proces me dy standarde, ndërsa paralajmëroi se të drejtën e tij do e kërkojë deri në Gjykatën e Strasburgut.

Në Athinë ku do të qendrojë tranzit u prit për rreth 40 minuta në një takim nga Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i cili teksa i uroi lirim përgjithmonë nga burgu, theksoi se Greqia kërkon që Shqipëria t’i përmbahet angazhimeve europiane.

“Ne kemi të gjitha arsyet për të kërkuar një Shqipëri që përparon në këto çështje, që i afrohet Evropës dhe që i përmbahet rreptësisht angazhimeve të saj evropiane. Ky, mendoj, është një qëllim i përbashkët për të cilin ne të gjithë duam të punojmë”.

Beleri do të udhëtojë së bashku me eurodeputetët e tjerë nga Athina në Strasburg, ku më 16 Korrik do të bëjnë betimin.

Sipas lejes 5-ditore të miratuar nga Drejtoria e Burgjeve ai ka kohë deri në orën 16:00 të 20 Korrikut për t’u rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri.

Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Tv Klan