Zgjedhjet në SHBA nëpërmjet fotove
Irani: Nuk përbën ndonjë ndryshim thelbësor se kush bëhet president i SHBA-së
Qeveria iraniane tha se nuk përbën ndonjë ndryshim thelbësor se kush bëhet president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas Tasnim News, agjencisë shtetërore mediatike në Iran që lidhet me trupat e Rojes Revolucionare, zëdhënësi i qeverisë ka thënë se zgjedhjet për president në SHBA nuk kanë lidhje me Iranin.
Po ashtu ai ka shtuar se politikat e përgjithshme të SHBA-së dhe Iranit janë të pandryshueshme.
Rruga drejt Shtëpisë së Bardhë, disa prej momenteve kryesore të zgjedhjeve në SHBA
·Trump mbajti fjalimin e fitores para mbështetësve të entuziazmuar në Florida, disa momente pasi siguroi votat në Pensilvani, një prej shteteve kryesore. Ai u zotua të shërojë vendin dhe ta fusë SHBA-në në një “epokë të artë”.
·CEO i X, Elon Musk, ishte në mesin e atyre që u vlerësuan nga Trump, që e cilësoi si “yll i ri” i Partisë Republikane. Ndërsa kandidati për zv/president, JD Vance e përshkroi fitoren e Trump si “rikthimin më të madh politik të ndodhur ndonjëherë më parë”.
·Nga ana tjetër mbështetësit e Kamala Harris u larguan herët nga festa e saj zyrtare në Uashington DC, me imazhe që tregonin flamuj të paprekur amerikanë në kuti kartoni.
·Deri më tani, 3 shtete kyçe, Pensilvania, Karolina e Veriut dhe Xhorxhia, janë fituar nga Trump. Ai vijon të kryesojë në 4 shtetet e mbetura: Arizona, Nevada, Wisconsin dhe Michigan.
·Minesota dhe Nju Xhersi janë disa nga shtetet ku triumfoi kandidatja demokrate Harris.
·Ndërkohë, Partia Republikane do të marrë gjithashtu kontrollin e Senatit; Demokratët nuk arritën të rrëzonin Ted Cruz-in në Teksas, i cili ishte një nga objektivat e tyre kyç.
Numërimi vazhdon në një pjesë të vogël të shteteve.
A do ta urojë Putin Trump?
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov më herët gjatë ditës, ka deklaruar se për Rusinë, Shtetet e Bashkuara janë vend jomiqësor, i përfshirë në luftën kundër Rusisë, dhe që “Putin nuk ka plan të urojë Trumpin”.
Shtetet e Bashkuara nuk janë të përfshira direkt në luftën e Rusisë në Ukrainë, mirëpo SHBA-ja është lidere në ofrim të ndihmës për Kievin, teksa mbrohet nga pushtimi rus, i nisur në shkurt të vitit 2022.
Përgjatë fushatës zgjedhore, Trump është zotuar disa herë se mund t’i japë fund kësaj lufte, “vetëm me një telefonatë”.
Klan News ka përcjellë në transmetim maratonë të gjitha zhvillimet nga SHBA.
Të gjithë të interesuarit mund të ndjekin në videon më lart, intervista të gazetarit Besard Jacaj me Tritan Shehun, politikan; Rudina Hajdarin, ish-deputete dhe Mentor Beqen, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Meloni uron Trump: Italia dhe SHBA, aleancë e palëkundur
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, tha në urimin e saj për zotin Trump se Italia dhe Shtetet e Bashkuara kanë një “aleancë të palëkundur”.
“Është një lidhje strategjike, të cilën jam e sigurt se tani do ta forcojmë edhe më tej“, shkroi ajo.
Scholz uron Trump
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, duke e uruar Presidentin Trump, shkroi se “Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar së bashku me sukses për një kohë të gjatë për të nxitur përparimin dhe lirinë në të dyja anët e Atlantikut. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për të mirën e qytetarëve tanë”.
Von der Leyen: BE dhe SHBA janë më shumë se thjeshtë aleatë
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen përgëzoi me anë të një mesazhi në rrjetet sociale Donald Trump, për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale të 5 Nëntorit. Ajo u shpreh se SHBA-ja dhe BE-ja janë më shumë se thjeshtë aleatë.
“Përgëzoj ngrohtësisht Donald J. Trump. BE dhe SHBA janë më shumë se thjesht aleatë. Ne jemi të lidhur nga një partneritet i vërtetë mes njerëzve tanë, duke bashkuar 800 milionë qytetarë. Pra, le të punojmë së bashku për një axhendë të fortë transatlantike që vazhdon të japë për ta”, shkroi Von der Leyen.
I warmly congratulate Donald J. Trump.
— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) November 6, 2024
The EU and the US are more than just allies.
We are bound by a true partnership between our people, uniting 800 million citizens.
So let's work together on a strong transatlantic agenda that keeps delivering for them.
Sali Berisha: Rikthim i madhërishëm i Trump në Shtëpinë e Bardhë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha uroi Donald Trump për fitoren në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Një rikthim të madhërishëm e konsideron kthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, kryedemokrati Berisha. Sipas Berishës, me Trump, SHBA-ja, aleatët dhe partnerët e tyre janë më të sigurtë se kurrë më parë.
“Donald Trump triumfoi! Kombi i madh amerikan në zgjedhjet e tij më historike riktheu madhërishëm në Shtëpinë e Bardhë, President të 47-të të SHBA, Zotin Donald Trump. Me votën e tyre plebishitare, qytetarët amerikanët u ngritën mbi hipokrizinë, mashtrimin, përpjekjet për t’ iu diktuar me të gjitha mjetet udhëheqësin e tyre dhe rikthyen, zgjodhën për të ardhmen e ndritur që meritojnë, Donald Trump President të 47-të të vendit të tyre. Ata votuan për vlerat themelore të njeriut dhe njerëzimit që ndajnë dhe mbrojnë njerëzit e lirë në mbarë botën, votuan për begatimin e tyre dhe paqen në botë. Me Presidentin Donald Trump, SHBA, aletatët dhe partnerët e tyre në këtë kohë luftërash janë më të sigurtë se kurrë më parë. Por qytetarët amerikanë votuan gjithashtu për shpëtimin e vendit të tyre dhe jo vetëm atij nga mafia më e rrezikshme e kohërave, mafia e George Soros”, tha ndër të tjera Berisha… Lexo më shumë
Macron uron Trump
Edhe presidenti francez Emmanuel Macron uroi Trump.
“Urime presidenti Donald Trump. Gati për të punuar së bashku siç bëmë për 4 vjet. Me bindjet tuaja dhe të miat. Me respekt dhe ambicie. Për më shumë paqe dhe prosperitet”, shkruajti Macron në një postim në X.