Nga Times Square në New York, gazetari Blendi Fevziu ka treguar se kur nisën të shuheshin shpresat për një fitore të Kamala Harris në SHBA. Ai thotë se pas mesnate gjithçka filloi të merrte trajtë përfundimtare, me Donald Trump që dominonte me vota në pjesën më të madhe të shteteve.


Fevziu shtron pyetjen se çfarë ndodh pasi Trump shkon në Shtëpinë e Bardhë, duke marrë parasysh tensionet në Lindjen e Mesme, luftën në Ukrainë. Më e rëndësishmja, cila do jetë qasja e tij në Ballkan?

Donald Trump do të jetë Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke kryer një sipërmarrje gati të pamundur, për t’u rikthyer sërish në Shtëpinë e Bardhë pasi e kishte humbur këtë mandat 4 vjet më parë me Joe Biden. Donald Trump, njëkohësisht bëhet personi ose Presidenti i parë i cili ka qenë nën akuzë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë dhe mbi të cilin rëndojnë një sërë çështjesh gjyqësore. Por ai arriti të fitojë ose dominojë pjesën më të madhe dhe shtetet kyçe në zgjedhje. Përtej kësaj, gara e tij u dominua nga ekonomia dhe trafiku ilegal i emigrantëve. Pika e tij e dobët ishte çështja që lidhej me abortin. Ekonomia duket se ka qenë pika kyçe që i ka bërë shtetasit amerikanë ta votojnë, pasi më shumë se 40% e shqetësimit të tyre është ekonomia, ndërkohë që 13% është pjesa e abortit.

Njerëzit kanë pritur me orë të tëra për të votuar e para ekraneve të televizorëve. Këtu jemi në zonën e ABC-së për të parë se ç’po ndodh… Pas mesnatës, u shuan shpresat për një fitore të Harris, ndërkohë që Trump ka plotësuar numrin për të qenë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Çfarë do të ndodhë me Trump në Shtëpinë e Bardhë? Sidomos për luftën në Ukrainë, Lindjen e Mesme apo Tajvan. Çfarë politikash do të ketë në Ballkan? Ndërkohë që amerikanët presin një bum të ri në ekononomik që sipas tyre ka munguar në 4 vitet e fundit me Biden. Times Square ka qenë i gjallë deri në orët e para të mëngjesit, ndërkohë që amerikanët do të gdhihen me një president të ri, por për ta është gjithsesi një president i njohur”, tha Fevziu.

Donald Trump ka mbajtur fjalimin e fitores sot, duke e cilësuar një arritje të jashtëzakonshme për republikanët. “Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe!”, tha ai nga podiumi, si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

/tvklan.al