Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot pasdite në Kamëz takimin e radhës me demokratët. “Foltorja: Për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur” u zhvillua në Pallatin e Kulturës.

Lideri historik i demokratëve është takuar edhe me demokratët në qytete të ndryshme ku theksin e ka vënë tek e ardhmja e PD.

Berisha ka njoftuar se më 11 Dhjetor do të kërkohet mbledhja e Kuvendit Kombëtar, ndërsa më herët ka deklaruar se do të garojë për të marrë drejtimin e partisë.

Ish-kreu i PD me këtë nismë synon largimin e Bashës nga drejtimi i partisë. Kjo lëvizje e tij vjen pasi kreu i PD e përjashtoi nga Grupi Parlamentar pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA.

Rikthimi në krye të PD, Berisha: Nuk i shmangem garës. Ku ndryshoj me Sali Berishën e 2013-ës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar këtë të martë se misioni i nismës së tij është që të krijojë kushtet e një gare të lirë dhe të hapur për kryetarin e Partisë Demokratike. Vetë Berisha, pasi disa ditë më parë shpalli kandidimin e tij në krye të PD, tha nga Kamza se nuk i shmanget kurrë garës. Ai i garantoi demokratët se nuk do t’i zhgënjejë kurrë. Berisha tregoi për qytetarët edhe se ku ndryshon ai me Sali Berishën e vitit 2013.

“Lidhur me rikthimin misioni jonë i përbashkët është të krijojmë kushtet e një gare të lirë dhe të hapur, por ju garantoj se unë nuk i shmangem asaj  dhe i garantoj demokratët se kurrë nuk do t’i zhgënjej. Rikthimet në histori kanë qenë vetëm suksese. Është e vërtetë që unë rikthehem pas 8 vitesh, por nëse më pyet dikush mua çfarë ndryshimi ka Sali Berisha i vitit 2013 me Sali Berishën e vitit 2021, mund t’ju them vetëm një gjë, flej më pak se në 2013, lexoj më shumë, punoj më shumë”, tha Berisha.

Lideri historik i demokratëve tha se PD ka nevojë për ristrukturim. Ai u shpreh se forumet duhet të jenë plotësisht funksionale.

“Sa i përket ajo që thashë që do e kthejmë PD në shtëpinë e lirisë, ajo nënkupton në çdo qelizë të saj vendimet e lira. Padiskutim, nënkupton ristrukturimin e saj. A duhet të jemi forcë politike serioze ne? S’ka diskutim. Nëse shpallim se në Kuvend kemi 7 mijë vetë, kur salla më e madhe e vendit, stadiumi Selman Stërmasi zë 4 mijë ne nuk jemi seriozë. Ku i fusim ne 7 mijë vetë? Partia Angela Merkel Kuvendin e ka me 900 vetë. Partia Komuniste e Kinës ka 3 mijë delegatë. Ne dalim me 7 mijë vetë. 7 mijë vetë do të thotë nuk është serioze. Keni shtruar një gjë serioze, të drejtë. Ne do bëjmë që çdo forum të jetë plotësisht funksional. E kam treguar edhe një herë, Nuk e harroj kur Kohl më tha gjatë një dreke isha në kancelari. “Kur ra muri i Berlinit mendova se një pjesë e gjermanëve që ishin përzënë mund të ktheheshin, i kishin aty shtëpitë dhe e shtrova në kryesi. Kryesia ishte 19 vetë. Më mbështeti vetëm 1 njeri, 17 votuan kundër dhe nuk e shtrova më kurrë atë problem”. Këto janë forumet, dhe jo forumet shto miell shto ujë që shkojnë deri në asgjesim”, tha Berisha.

Berisha tha se askush nuk mund të prekë sovranitetin e Partisë Demokratike. Ndër të tjera ai shtoi se askush “nuk mundet të imagjinojë të blejë dhe të shesë me viza demokratët dhe demokratet e Shqipërisë”.

“Do t’i themi kujtdo në botë se sovranitetin e kësaj partie nuk mund ta prekë kush. Ai sovranitet qëndron në idealet e qindra mijëra jetëve të sakrifikuara gjatë diktaturës komuniste, e shekujve dhe mijëvjeçarëve burgje të shqiptarëve në diktaturë, për besimin tek vendi i tyre, besimi tek liria. Nuk mundet kush kurrë kësaj partie t’i diktojë se kush do të jetë kryetar i saj përveç votës suaj. Nuk mundet kush kurrë të imagjinojë të blejë dhe të shesë me viza si Kolombi me pasqyra indianët demokratët dhe demokratet e Shqipërisë. Kurrë s’do të ndodhë ajo. Ne do të qëndrojmë si partnerë të denjë, miq të vërtetë të SHBA, vendeve të BE-së, do qëndrojmë besnikë të vokacionit perëndimor të kombit shqiptar”, tha Berisha.

Berisha: Në pushtet rivendosim marrëdhëniet më të mira me SHBA dhe integrohemi në BE

Sali Berisha deklaroi para demokratëve të Kamzës se kur të jenë në pushtet do të vendosin marrëdhëniet më të mira me SHBA dhe do të integrojnë Shqipërinë në Europë. Ai u shpreh se “qëllimi i i mafias sorosiane është që ta paraqesë PD si forcë antiamerikane”.

“Cili është qëllimi i mafias sorosiane? Qëllimi i mafias sorosiane është që ndër të tjera ta paraqesë PD si forcë antiamerikane, në një kohë kur ne jemi dhe kemi qenë lokomotivë e miqësisë, bashkëpunimit me SHBA dhe do mbetemi të tillë. Ju garantoj se nesër në pushtet Sali Berisha dhe ju do vendosni marrëdhëniet më të mira me ShBA dhe do integroni Shqipërinë në Europë në mënyrën më të pandalshme. Ndaj ne nuk duhet të ndikohemi. Ju përmendët emra. Një nga shkaqet më themelore të shpalljes “non grata” ka qenë qëndrimi im ndaj ndryshimit të kufijve të Kosovës”, tha Berisha.

Eurobondi, Berisha: 1200 Euro taksa shtesë çdo qytetari me faturën e re

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur gjatë foltores me demokratët e Kamzës se borxhi i Shqipërisë po i afrohet 100%.

Lideri historik i demokratëve tha se gjatë qeverisjes së tij borxhi u rrit me vetëm 4.3%, ndërsa në qeverisjen e Ramës 7% vetëm gjatë periudhës 2019-2020.

Berisha u shpreh se me Eurobondin që pritet të marrë Shqipëria prej rreth 700 milionë Eurosh, çdo qytetar do të duhet që të paguajë 1200 euro taksa shtesë.

“E kemi dorëzuar në Shtator të vitit 2012 me një borxh 62.6%. E morëm me 58.4% dhe e dorëzuam me 62. Por me rritje 4% të borxhit ia dolëm të dyfishojmë, rrogat dhe pensionet. Ia dolëm të ndërtojmë nga Vermoshi në Konispol 11 300 kilometra rrugë, qindra kilometra autostrada. Ia dolëm të ndërrojmë mbi 1300 shkolla, kopshte objekte arsimore. Mbi 11 impiante të përpunimit të ujërave të zeza. Megjithatë borxhi u rrit gjithsej 4.3%. Ku jemi sot. Vetëm nga 2019-2020 borxhi është rritur me 7%. Kurse nga 2013 borxhi ka arritur miqtë e mi po i afrohet 100%. Me faturën e fundit 720 milionë euro çdo qytetar shqiptar do të detyrohet të paguajë taksa të paktën 1200 euro shtesë. Çfarë ndodh kështu? Ku janë ku shkuan këto miliarda Euro që u morën borxh? A u ndërtuan rrugë? 34 kilometra rrugë autostradë anë ndërtuar dhe ato gjysma kanë qenë të ndërtuara para 2013”, tha Berisha.

Sali Berisha: Rama ka çuar në Kuvend ligjin për t’i hapur rrugë trafikimit të fëmijëve

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga foltorja me demokratët në Kamëz se kryeministri Edi Rama ka dërguar në parlament ligjin që i hap rrugë trafikimit të fëmijëve nëpërmjet adoptimit. Ai u shpreh se nuk është kundër adoptimeve, por në kushtet ku është Shqipëria sot, ligji është de facto për trafikimin e fëmijëve.

“Ne i besojmë familjes si themel i gjitha themeleve të shoqërisë. Edvin Kristaq Rama futi në shkollë platformën e numërimit të prindërve. Sikur të ishte matrikullim, vetëm e vetëm për të shuar shenjtërinë e familjes sonë. Tani ka çuar në parlament ligjin për t’i hapur rrugë trafikimit të fëmijëve nëpërmjet adaptimit. Nuk kam asgjë kundër adoptimeve, mbështes, nderoj ata prindër që adaptojnë fëmijë, por t’i besosh fëmijën atij që është krejt i vetëm në kushtet kur je shtet narkotrafiqesh e bën atë vetëm për t’i bërë objekt trafikimi dhe sot fëmijët shqiptarë janë më të dëmtuar, më të mjeruar të Europës. Save the Children ka publikuar këto kohë studimin e tij ku tregon se fëmijët në Shqipëri janë 2 herë më të kërcënuar se sa fëmijët shqiptarë në Kosovë, nuk po flas për vende të tjera. Tregon se 50% e fëmijëve shqiptarë përballen me kushte shumë të vështira. Ky tani që vetëm shqiptar nuk është do të na miratojë ligjin, absolutisht de facto të trafikimit të fëmijëve”, tha Berisha.

Duke iu drejtuar demokratëve lideri historik i PD-së tha se, “Ne jemi këtu për t’u zotuar se në Shqipëri do të ngrihet një forcë konservatore, PD më e fuqishme se kurrë në 30 vite”./tvklan.al