Turi i takimeve i ish-Kryeministrit Sali Berisha u ndal këtë të martë në Peshkopi. “Foltorja: Për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur”, u zhvillua në Pallatin e Kulturës të Dibrës.
Më herët, Berisha ka zhvilluar takime me demokratët në Tiranë, Fier, Vlorë, Durrës, Shkodër, Gjirokastër, Elbasan, Korçë dhe Kukës.
Ish-kreu i PD me këtë nismë synon largimin e Bashës nga drejtimi i partisë. Kjo lëvizje e tij vjen pasi kreu i PD e përjashtoi nga Grupi Parlamentar pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA.
Berisha, sfidë Bashës: Eja me mua në bazë
Sali Berisha e fton Lulzim Bashën në takimin që zhvilloi pasditen e martë në Dibër t’i bashkohet foltores dhe të diskutojë me anëtarësinë demokrate, qoftë dhe duke kundërshtuar atë.
“Atë e ka kapur një frikë e madhe. Ai ka frikë nga ju. Ai rri brenda katër mureve, bashkëqëndron me Edi Ramën dhe pastaj thotë po shpifin për mua. Po kush po thotë? Hajd tako anëtarët. Hajde këtu, edhe me mua hajde këtu, shpreh mendimet tua. Këtu jemi në kolektivitet. Çfarë do bëjmë? Do thonë gjëra si i mendojnë duhet të jesh i përgatitur që t’i dëgjosh”.
Për të treguar karakterin e tij të dobët të Lulzim Bashës, ish-kryeministri nuk nguron të zbulojë për dibranët dhe biseda konfidenciale me atë që e quan ish-kryetari i Partisë.
Berisha thotë se Kuvendit Kombëtar do t’i propozojnë dhe ndryshime në programin politik të PD. Ish-kryeministri di dhe mënyrën sesi rrëzohet nga pushteti Edi Rama, çka Lulzim Basha sipas tij nuk ka ditur ta bëjë në këto 8 vite.
Gjatë fjalës së tij ish-kryeministrit Berisha bëri të ditur se 2/3 delegatëve kanë firmosur për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, ku ndër të tjera pritet të diskutohet vendimi i Bashës për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.
Tv Klan
Berisha zbulon bisedën 2 muaj me parë më Bashën, në sallë shpërthejnë të qeshurat
Ish-Kryeministri Sali Berisha gjatë takimit që ka kryer në Peshkopi ka treguar një bisedë që ka pasur me Lulzim Bashën para 2 muajve. Berisha thotë se i ka kërkuar Bashës që të mos përzihet në punët e tij pasi nuk i ka kërkuar ndihmë askujt dhe çështjen e tij e ka dërguar në gjykatë.
Megjithatë, Berisha ka treguar një episod për një shprehje popullore që përdoret në Hot. E teksa rrëfeu se si ia ka shpjeguar Bashës kuptimin, kjo ka shkaktuar të qeshura mes simpatizantëve të Berishës, të cilët ishin mbledhur këtë të martë në Pallatin e Kulturës.https://www.youtube.com/embed/2R1aTW1N5aQ
“Pastaj del e thotë se jam dhe Bashë, jam dhe Hot. Prisni. Para dy muajsh bëjmë një muhabet me të. Edhe i them “Lul mos i përziej në këtë punë, unë nuk i kam kërkuar ndihmë askujt. Nuk i kërkoj askujt ndihmë e kam çuar në gjykatë”. Edhe i them “hotianët kanë pasur një fjalë”. “Çfarë?” tha. “Ndihma e Zotit, pushka e Hotit”. “Çfarë do të thotë”, tha. I them, “Kjo do të thotë ndihma e Zotit, penda ime”. Ky thotë jam edhe kështu. Problemi është këtu, se edhe Basht edhe Hoti kanë pasur burra të penës dhe të pushkës, burra të betejave dhe fitimtarë, por ti zotëri nuk numëron asnjë gjë tjetër veçse humbje, humbje dhe beteja të dorëzuara. Kjo është e vërteta. Për të mos e thënë atë tjetrën pastaj se si tek Basht edhe tek Hoti edhe tek çdo fis, besëpreri është…, e dini vetë, nuk po flas”, tha Berisha.
Shpallja non grata, Berisha-Bashës: Mos u përziej. Do shkoj në sallë të gjyqit
Nga Peshkopia Sali Berisha ka komentuar dhe shpalljen e tij non grata, duke shprehur se është i pafajshëm dhe nuk do e pranonte kurrë fajin përderisa është i pafaj, është i pathyeshëm ndaj mashtrimeve dhe mbron dinjitetin e tij dhe të gjithë simpatizantëve të Partisë Demokratike. Sipas tij shumë përfaqësues të shquar e kanë quajtur shpallja e tij non grata është si një akt hakmarrës të Xhorxh Soros dhe Edi Ramës. Ai i bën thirrje Bashës që të mos përzihet më fare me këtë punë sepse ai nuk i kërkon ndihmë askujt në tokë dhe përballet vetëm me gjykatën.
“Mbetem përjetësisht besimtari i dinjitetit njerëzor dhe i them kryetarit mos u përziej në këtë punë fare ti. I them që njoh me qindra dhe mijëra personalitete SHBA, Europë dhe kudo, por njeriut mbi tokë unë nuk i kërkoj ndihmë. Do shkoj drejt e në sallën e gjyqit dhe aty do përballemi në gjykatë sepse edhe gjykatë dhe ndihmë nuk shkon”, është shprehur Sali Berisha.
Berisha: Po të isha rikthyer në 2017, Rama nuk do kishte marrë një mandat të 3
Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka vijuar turin e takimeve me demokratët në Peshkopi këtë të martë. Ai ka kërkuar ndjesë pasi gjatë këtyre viteve nuk ka ngritur problemet më të mëdha me të cilat përballej PD, por këtë thotë se e ka bërë tek kryetari Lulzim Basha.
Megjithatë, vetë Berisha thotë se kjo gjë nuk e justifikon. Ai u shpreh se në vitin 2017, kur siç thotë i ka kërkuar Bashës dorëheqjen, duhet të vendoste që të rikthehej vetë në krye të selisë blu në mënyrë që Edi Rama mos të fitonte mandatin e radhës në krye të punëve të vendit.
“Miqtë e mi, PD është sot e goditur rëndë nga aktet e papërgjegjshme nga udhëheqja e papërgjegjshme pothuaj inekzistente e saj. Me datën 25 Prill në darkë, çfarë tregonin sondazhet? Tregonin se vetëm 19 përqind e shqiptarëve që kanë votuar PD kishin votuar për kryetarin. Pra ne kishim shkuar te kutitë e votimit symbyllur. Mirënjohje të pakufishme atyre që na votuan sepse ne drejtues nuk kishim. Dua të shfrytëzoj rastin t’ju kërkoj ndjesë sepse gjatë këtyre viteve unë nuk kam ngritur pranë jush problemet e mëdha me të cilat përballej PD, pavarësisht se unë ato në mënyrë absolute dhe në mënyrë të dokumentuar ia kam thënë që të gjitha kryetarit të saj. Kjo natyrisht nuk më justifikon. Nuk më justifikon faktin se edhe kur në vitin 2017 i kërkova dorëheqjen ndoshta duhet të vendosja të rikthehesha për të mos pasur edhe mandat tjetër Edi Rama siç e keni sot”, tha Berisha.
U prit me daulle, Berisha-Ramës: Nuk janë dasme, por beteje. Do të përballesh me demokratët për këto që ke bërë
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga Peshkopia se opozita e Lulzim Bashës i ka bërë fresk qeverisë gjatë 2 mandateve të Edi Ramës. Ai tha se demokratët kanë përgjegjësi për këtë dhe për këtë arsye po marrin përsipër që të ringrihen dhe për t’i qëndruar “dhëmbë për dhëmbë këtij regjimi”. Berisha iu drejtua Edi Ramës dhe duke iu referuar daulleve që e pritën në hyrje të Pallatit të Kulturës tha se ato daulle “nuk janë dasme, por beteje” ndaj tij.
“Sot Edi Rama ka bllokuar integrimin. Sot Edi Rama ka vrarë shpresën e shqiptarëve. Ku është opozita? Çfarë bëri opozita. Më falni për shprehjen, por opozita i bëri fresk qeverisë sepse nuk qe e aftë në mënyrë absolute përveç dekriminalizimit t’i imponojë asnjë nismë tjetër. Nuk qe e aftë ta bllokojë në asnjë vendim tjetër. A kemi ne përgjegjësi për këtë? Në mënyrë të padiskutueshme. Ndaj edhe ne duke njohur përgjegjësinë tonë marrim përsipër të ngrihemi fuqishëm për të qëndruar si opozitë e pamposhtur, për të qëndruar dhëmbë për dhëmbë ndaj këtij regjimi që po spastron Shqipërinë nga shqiptarët. Edhe njëherë i them Edi Ramës atë që i thashë në Kukës. Ato daulle nuk janë dasme, por beteje. Beteje dhe vetëm beteje. Do të përballësh me demokratët për të gjitha këto që ke bërë”, tha Berisha.
Berisha: 2/3 e delegatëve të Dibrës kanë firmosur për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD
Ish-kryeministri Sali Berisha ka njoftuar se peticionin për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar e kanë firmosur mbi 2/3 e delegatëve të Peshkopisë, Bulqizës dhe Matit. Lideri historik i demokratëve tha gjatë takimit që zhvilloi në Dibër se ky vendim i tyre vjen në një moment historik për PD dhe për vendin.
“Kam ardhur sot këtu me një kënaqësi të veçantë për të falenderuar të gjithë demokratët dhe demokratët e Dibrës për mbështetjen që i kanë dhënë PD që nga themelimi i saj deri sot. Dua të falenderoj të gjithë, në mënyrë të veçantë, të gjithë delegatët e Kuvendit Kombëtar të Peshkopisë, Bulqizës dhe Matit të cilët kanë firmosur tashmë mbi 2/3 vendimin e tyre, për të mbledhur në një moment historik për PD dhe vendin, Kuvendin Kombëtar të PD, Kuvendin e ringritjes së kësaj force politike në lartësinë e idealeve të saj si opozita më e fuqishme e vendit”, tha Berisha.
Kujtojmë që një ditë më parë kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha se nuk do të hedhë në votim në forumet e PD-së vendime të qeverisë dhe institucioneve amerikane kundër deputetëve apo të zgjedhurve të partisë./tvklan.al