Ish-Kryeministri Sali Berisha zhvilloi këtë të martë foltoren e radhës me demokratët. Takimi u mbaj në Fushë-Krujë në kinemanë e këtij qyteti.
Kujtojmë që lideri historik i demokratëve ka zhvilluar takime me demokratët në disa qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Një ditë më parë, kryesia e PD-së vendosi që Kuvendi Kombëtar të mblidhet më 18 Dhjetor. Por në një reagim, Sali Berisha tha se Kuvendi do të mblidhet më 11 Dhjetor siç ka njoftuar edhe më herët pas kërkesës së 4200 delegatëve që sipas tij kanë firmosur për mbledhjen e Kuvendit.
Nisma e Berishës vjen pasi u përjashtua nga grupi parlamentar i PD-së nga Basha, pasi SHBA-ja e shpalli liderin historik të demokratëve “non grata”.
Berisha: Bashkëqeverisjen e Bashës me Ramën e pengova unë
Ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar foltoren me demokratët në Fushë-Krujë. Lideri historik i demokratëve tha se kryetari Basha ka menduar për interesat e tij dhe se si të shkonte drejt bashkëqeverisjes me Edi Ramën. Por Berisha tha se këtë vendim ia ka penguar vetë ai Lulzim Bashës.
“Edi Rama shkelmonte nga zgjedhjet në zgjedhje mbi votën tuaj. Opozita dështoi në çdo aksion, dhe jo për fajin tuaj sepse ju keni sakrifikuar këto 8 vite sa asnjëherë tjetër me shpresë që PD të kthehej në pushtet, por sakrifikuat për shkak të një kryetari i cili mendonte për veten, për interesat e tij dhe mendonte në mënyrë absolute se si të shkonte në bashkëqeverisje me Edi Ramën. Nëse ka një vendim për të cilin e ka penguar Sali Berisha, ju garantoj se është vetëm ky vendim. Vetëm ky vendim dhe e kam bërë atë me ndërgjegjen më të thellë se një aleancë me krimin, me korrupsionin do të ishte dita më e zezë për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Berisha.
“Historia me 80 votat”, Berisha tregon si e mori Basha Bashkinë e Tiranës në 2011-n
Ish-kryeministri Sali Berisha ka treguar gjatë foltores me demokratët në Fushë-Krujë historinë e fitores së Lulzim Bashës në Bashkinë e Tiranë në vitin 2011.
Në këtë mënyrë, lideri historik i demokratëve i ktheu përgjigje Bashës, i cili në një intervistë për mediat ka thënë se e fitoi garën pasi përjashtoi Berishën nga fushata.
“Në një intervistë të tij deklaron ish-kryetari se unë fitova Bashkinë e Tiranës sepse përjashtova Berishën nga fushata. Kjo është aq e vërtetë, aq sa është e vërtetë që ai ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO. Po unë do ju tregoj një pjesë tjetër të kësaj ndodhie. Absolutisht çdo natë, se janë të gjitha kronikat, çdo natë kthehesha dhe ulesha më ish-kryetarin për ta udhëzuar për të nesërmen në fushatë. U mbyllën numërimet, Edi Rama doli me 10 vota para. Dhe mua më njoftojnë zyrtarët tanë se në kuti janë gjetur vota të keqvendosura. Këto quhen në Kod Zgjedhor të Venecias dhe Aifesit, këto quhen vota të vlefshme. Vota e hedhur gabim në një kuti quhen të vlefshme. Dhe unë kërkoj që ato të numërohen. Fillon numërimi i tyre… Të nesërmen kishim një këshilltar amerikan fushate, më troket, atje nga Rruga e Elbasanit ka shqetësim shumë të madh për këtë numërim që po bën. Janë të shqetësuar dhe druaj shumë se do bëjnë një deklaratë. I them mik i im po numëroj çdo votë në përputhje me këto kode, se janë legjitime, por nëse duan ata të ambasadës tuaj të shkojnë të shohin dhe të prekin çdo votë atje. Votë kurrë askujt nuk i marr po votë kujt nuk i fal. “Sir” më thotë ai, unë po të flas edhe në emër të zotit Basha i cili është dakord ta mbyllim këtë punë. I them “Sir” thuaji zotit Basha që nuk po e bëj për ty këtë, po për demokratët shqiptarë sepse janë vota që i kanë hedhur demokratët shqiptarë. Kjo bisedë është bër ëme shqiptarë kështu që kjo është historia e fitores me 80 vota, i cili nuk mori dot as votat e koalicionit të PD-së ç’është e vërteta dhe që pas asaj fitoreje nuk pa më fitore me sy gjer sot elektorale, por vetëm humbje”, tha Berisha.
Fushata zgjedhore, Berisha: Basha nuk erdhi në Fushë-Krujë sepse mori ultimatum nga klani “Rraja”
Ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar foltoren me demokratët në Fushë-Krujë. Berisha u shpreh se Basha nuk ka bërë fushatë me kandidatët në kqtë qytet pasi ka marrë ultimatum nga klani “Rraja”. Sipas Berishës, e njëjta gjë ka ndodhur edhe ne Elbasan dhe qytete të tjera. Lideri historik tha se me dhjetëra ligje kanë kaluar në parlament në favor të krimit.
“Ish-kryetari pa parti nuk erdhi dot në Fushë-Krujë për të bërë fushatë për kandidatët për të qenë pranë jush sepse mori një ultimatum nga klani Rraja. E njëjta gjë ndodhi në Elbasan dhe në qytete të tjera. Ligjin e mori në dorë krimi jo vetëm në qytete dhe në fshatra por edhe brenda në parlament. Me dhjetëra ligje u kaluan për bajlozët e krimit në parlament që të merrnin tendera dhe koncesione”, tha Berisha.
Berisha-Ramës: Nuk mund ta marrësh peng selinë e PD-së, hiq dorë nga lojërat e turpshme
Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka dhënë ultimatum kryeministrit Edi Rama nga Fushë-Kruja që të mos marrë peng selinë e Partisë Demokratike.
Gjatë takimit me demokratët Berisha tha se “Jeni për t’i thënë Edi Ramës, për ti dhënë ultimatum Ramës nga Fushë Kruja, mos mendo se mund të konfiskosh shtëpinë e demokratëve në Tiranë. Kujtohu mirë se ke zyrë dhe seli partie dhe i bindur të jesh ti që nuk mund të marrësh kurrë peng selinë e PD me pengkryetarin. Ndaj dhe të heqë dorë nga lojërat e turpshme, lojërat primitive me pluralizmin shqiptar”.
Berisha: Statuti nuk përcakton se ku duhen dorëzuar firmat, kryetari ka vetëm një detyrim
Firmat që mblodhi Sali Berisha për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar u dërguan në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka. Por kjo lëvizje hasi në kundërshtinë e Bashës, i cili e quajti blof të Berishës pasi sipas tij nuk kishte siguruar firma të nevojshme për të mbledhur Kuvend. Për pasojë, kërkohej që këto lista të dërgoheshin në zyrën e protokollit të PD-së.
Por Sali Berisha ka sqaruar këtë të martë se statuti nuk përcakton në asnjë nen të tij se në cilën zyrë duhet të dërgohen firmat. Sipas Berishës, menaxherët e firmave janë vetëm ata që kanë firmosur formularët.
Lideri historik i demokratëve tha se në këtë rast, kryetari ose vartësit e tij kanë për detyrim vetëm të afishojnë rendin e ditës. Për rendin e ditës, Berisha tha se delegatët që kanë firmosur janë informuar dhe ka qenë pjesë e formularit.
“Pra, ky zotëri, i komanduar nga Edi Rama shpall se do të mbajë anti-Kuvend në datën 18.Këtë nuk e bëri Ramiz Alia. Alia nuk e deshi pluralizmin, por ama e ka pranuar. E ka pranuar dhe ka thënë sepse i druhej një skenari rrëmujë. Megjithatë ai nuk e bëri këtë. Nuk krijoi një PD tjetër, apo opozitë të dytë për të shuar pluralizmin. Edi Rama mendon se do ta bëjë këtë. Me datën 11 Dhjetor, revolucioni paqësor i demokratëve mbledh Kuvendin. Kuvendi fuqiplotë i demokratëve të cilët kanë marrë në dorë fatet e demokracisë dhe fatet e veta. Do të ecë pa ndalë gjer në përmbysjen përfundimtare të narkoshtetit. Në statutin e shkruar nga ish-kryetari, e depozituar në gjykatë me akte zyrtare nuk ka asnjë fjalë, asnjë rresht, asnjë paragraf, asnjë nen në të cilin t’u kërkohet firmëtarëve të thirrjes së Kongresit, 1800 firmëtarëve se kaq mjaftojnë, se këto firma duhet t’i depozitoni në këtë zyrë, apo në atë zyrë, tek Sekretari i Përgjithshëm apo tek kryetari. Jo nuk ka! Ata janë përgjegjës, kanë një detyrim ndaj PD, të afishojnë rendin e ditës dhe datën në të cilën thërrasin kuvendin për të cilin firmosin. Çdo delegat që ka firmosur ka pasur në formular rendin e ditës. Rendi i ditës është publikuar sipas të gjitha rregullave. Në Kuvendin e thirrur nga anëtarësia, që përbën edhe mrekullinë në historinë e pluralizmit, kjo mrekulli është e para që ndodh në Shqipëri dhe ndoshta nga më të parat në Europë ku demokracia direkte e anëtarëve merr fatet në dorë. Këtë mrekulli, nuk mund që statuti ta urdhëronte të kalonte në labirintet e burokracisë të një partie që njeh vetëm disfata. Ndaj statuti nuk parashikon asgjë. Kush janë menaxherët e 1800 firmave, apo 4600 firmave? Janë vetëm ata që kanë firmosur. Pakica ka të drejtë të plotë të vijë, të verifikojë çdo mandat në përputhje me listat në Kuvend”, tha Berisha.
Berisha: Basha është tmerruar nga firmat
Ish Kryeministri Sali Berisha takimin e radhës me demokratët e zhvilloi në Fushë Krujë. Më fjalën e hapjes ai falenderoi për mbështetjen të gjithë banorët dhe deklaroi se nuk ka më histori të shkuara, por duhet të shohim të ardhmen për të hapur një kapitull të ri për Shqipërinë.
Berisha iu drejtua edhe Kryeministrit Rama duke i thënë se nuk mund të mbajë kurrë peng selinë e Partisë Demokratike dhe të heqë dorë nga lojërat primitive.
“Por këtu nuk jemi për histori të shkuara po për historitë e sotme dhe të ardhmen për të shkruar një kapitull në historinë e Shqipërisë. Jemi për t’i thënë Edi Ramës, për t’i dhënë ultimatum Edi Ramës nga Fushë-Kruja mos mendo se mund të konfiskosh shtëpinë e demokratëve në Tiranë, kujtohu mirë se ke zyrë dhe seli partie dhe i bindur të jesh ti se nuk mund të mbash kurrë peng selinë e Partisë Demokratike, me pengkryetarin ndaj dhe të heqë dorë nga lojërat e turpshme, lojërat primitive me pluralizmin shqiptar”, u shpreh Berisha
Ish kryeministri i bëri pyetje edhe Kryetarit të degës së PD në Fushë-Krujë, Agron Loka, për ta pyetur për numrin e firmave të mbledhura. Loka u përgjigj se, “kanë firmosur mbi 90 përqind e drejtuesve të strukturës të gjithë me vullnetin e tyre të lirë”.
Berisha u shpreh ndër të tjera se Basha është i tmerruar nga firmat që janë mbledhur për Kuvendin Kombëtar.
“Pra delegatët të Kuvendit në përputhje me nenin e statutin e PD i cili parashikon thirrjen e Kuvendit nga anëtarësia kur nuk e thërret udhëheqësi apo përfaqësia ky është parim i lashtë edhe në kohë mblidheshin pari dhe vegjëlia. Paria i udhëhiqte, por vegjëlia kishte fjalën e vet dhe sa herë që partia ja u dridhte ja paguante shumë shtrenjtë. Këto janë parime të lashta. Janë mbledhur mbi 4500 firma, çfarë qëndrimi mbajti kryetari nuk janë tha. Kur u dërguan firmat në seli, kur u vërtetuan nga mediat, kryetari nuk shkon ti prekë t’i shohë, por i lemeritur thotë se nuk janë. Firmat tuaja e kanë tmerruar”, tha Berisha.
Xheloze për Dumën? Kokalari: Këtyre njerëzve u ka ikur mendja vendit!
Gjatë fjalës së saj në “Foltoren” e Sali Berishës në Fushë-Krujë, aktivistja politike Evi Kokalari përmendi emra për secilën nga deklaratat e saj. Salianji, Duma, Gjekmarkaj e Mërtiri ishin deputetët që u përmendën nga Kokalari përkatësisht: Salianji për deklaratën e pavlefshmërisë së firmave, Gjekmarkaj e Mërtiri si pedagogë që nuk duhet të edukojnë fëmijë. Deklarata më e fortë ishte ajo për Grida Dumën, të cilën Kokalari e cilësoi si njeri “jo të pastër dhe të pamoralshme” referuar akuzës se ajo ndien xhelozi për deputeten.
Salianji gjithashtu tha që këto firma dhe këto vota janë të pavlefshme dhe nuk duan t’i kontrollojnë. Edi Paloka është munduar disa herë t’i thotë që të vijnë t’i shikojnë dhe t’i verifikojnë. Nëse ata mendojnë që 4200 firma janë falsifikuar neve na duhen vetëm 1400 firma dhe jua garantoj, që nëse ata duan që njerëzit të vijnë e të firmosin përpara, nuk e kanë problem për ta bërë, kështu është një gjë që ata do e humbin.
Gjithashtu dua të përmend, sot jam komplet për emrat sot po flas komplet me emra dhe nuk kam ndërmend të përmbahem në asnjë pikë dhe meqë ra fjala, Grida Dumën, më kanë akuzuar që jam xheloze, por nëse unë kam xhelozi për një njeri që unë personalisht e quaj jo të pastër dhe të pamoralshme, këta njerëz realisht iu ka ikur mendja vendit. Gjithashtu doja të flisja pak për individë si Gjekmarkaj dhe Mërtiri që qenkan pedagogë në fakultete dhe unë personalisht, më bën përshtypje si prindërit i çojnë fëmijët të edukohen nga individë si Gjekmarkaj dhe Mërtiri. Gjëja e mirë është që Gjekmarkaj do të ikë, kam idenë, kur zoti Berisha të bëhet kryetar i PD dhe kur të ikë unë kam një dhuratë për të, që ai do e kuptojë shumë mirë këtë, një shishe bosh se ai më konsideroi si një shishe që ra nga qielli dhe s’e kuptoi për çfarë duhesha./tvklan.al