Liverpool i ka hedhur sytë nga ekipi i Bayern Munchen për t’u përforcuar. Të kuqtë, të cilët aktualisht janë në krye të tabelës së Premier League, kanë qenë të qetë në merkatot e fundit.
Në verë, në “Anfield Road” u afrua vetëm Federico Chiesa nga Juventusi, pasi ata dështuan që të gjenin akordin me mesfushorin e Real Sociedad, Martin Zubimendi.
Por kjo nuk ka ndikuar në skuadrën e Arne Slot deri më tani këtë sezon, me Liverpulin që kryeson me gjashtë pikë më shumë se sa Arsenal në kampionat, ndërsa ekipi ka bërë mjaft mirë edhe në Ligën e Kampioneve. Sipas tabloidit “Daily Mail”, Liverpool po punon që të përforcohet në mesfushë me yllin e bavarezëve, Joshua Kimmich.
29-vjeçari ka qenë tepër i rëndësishëm për gjigantët gjermanë që kur iu bashkua klubit nga Leipzig në vitin 2015, ndërsa në total ka bërë 414 paraqitje. Mesfushori, i cili gjithashtu mund të luajë si mbrojtës i djathtë, ka luajtur edhe në 97 takime me kombëtaren e Gjermanisë, ku edhe mori shiritin e kapitenit pas Euro 2024.
Atij i përfundon kontrata në fund të sezonit, e anglezët duan që të përfitojnë nga kjo, e ta marrin si futbollist të lirë. Por në Gjermani raportojnë se edhe Bajerni po negocion rinovimin me mesfushorin.
Klan News