Shpallet zyrtarisht Partia e Lëvizjes Socialiste për Integrim me kryetar Ilir Metën. Në Pallatin e Kulturës gjatë paradites grupi nismëtar miratoi statutin dhe programin e partisë, sipas të cilëve një kryetar nuk mund të ketë më shumë se dy mandate radhazi 4-vjeçare. Simboli i partisë është i përbërë nga inicialet LSI mbi të cilat është vendosur një trëndafil i çelur me dy gjethe në anët e tij. Partia e sapokrijuar me karakter elektoral do të funksionojë sipas parimit nëj anëtar/një votë dhe organizmit vertikal nga baza në qendër.
Në nivel qendror lëvizja socialiste për integrim organizohet nga konventa kombëtare e cila do të luajë rolin e kongresit që do të mblidhet në fund të këtij viti. Komiteti drejtues kombëtar, kryesia është e përbërë nga 23 anëtarë mes të cilëve 10 deputetët e grupit parlamentar, kryetari, 4 nënkryetarët, Sabit Brokaj, Sokol Axhemi, Pëllumb Xhufi dhe Filloreta Kodra si dhe sekretari i përgjithshëm Petrit Vasili. Pjesëmarrrja e gruas në forumet e partisë velerësohet në masën 30% .
Ndërsa forumi i Lëvizjes Rinore për Integrim deri më sot numëron mbi 2000 anëtarë. Kryetari Ilir Meta në fjalën e tij përpara themeluesëve të partisë falënderoi të gjithë socialistët që e mbështetën si dhe shpjegoi arsyet e shkëputjes nga Partia Socialiste.
Ilir Meta: “Ju jeni dëshmitarë se ne synuam dhe luftuam për një kohë të gjatë që këto vlera të bëheshin sunduese të filozofisë politike të Partisë Socialiste me të cilën u bashkuam në ditët e saj më të vështira, por këto parime nuk pranoheshin nga një lidership uzurpator interesat e të cilit janë në kundërshtim të plotë me kërkesat e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ne u përpoqëm dhe sakrifikuam që integrimi të ishte lajtmotivi kryesor i Partisë Socialiste, por platformës sonë për integrim, iu përgjigjën me arrogancë dhe shpërfillje; kërkesës sonë për shenjtërimin e votës sipas parimit më demokratik një anëtar/një votë, iu përgjigjën me përjashtim; kërkesës për dinjitet dhe solidaritet, iu përgjigjën me arrogancën e pushtetit dhe përçmim; kërkesës për përfshirjen reale dhe aktive të gruas dhe të të rinjve në vendimmarrje, iu përgjigjën me klientelizëm; kërkesës sonë për konkurrencë të ndershme dhe shanse të barabarta, iu përgjigjën me përjetësimin e oligarkisë së vjetër dhe të re. Ne u bashkuam në këtë lëvizje për të afirmuar vlerat e mohuara, për të treguar se shoqëria demokratike nuk mund të ndërtohet kurrë pa luftuar varfërinë e monopolet e pa zhvilluar një ekonomi të qëndrueshme e vitale për një shtet të konsoliduar që përkujdeset për qytetarët e tij dhe që ofron për ta punë, siguri dhe shërbime. Ne kemi treguar dhe do të tregojmë çdo ditë se jemi njerëzit e fjalës së mbajtur. Ne jemi të bindur se shumë shpejt udhëheqësit e përjetshëm, liderët historikë, prijësit e konflikteve do të mbeten thjesht dhe vetëm një kujtim i hidhur i këtij tranzicioni. Ne jemi sot këtu, sepse nuk pajtohemi me justifikimin e kësaj situate nga shkaktarët e saj, se Shqipëria kështu ka qenë gjithmonë dhe se Shqipëria kaq meriton. Jo! Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë një qeverisje tjetër, meritojnë një klasë politike të përgjegjshme dhe atdhetare, meritojnë një të ardhme të sigurt.”
Në Gjykatën e Rrethit kërkesa për njohjen e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim është paraqitur sot në mesditë. Kjo është ndarja e parë në Partinë Socialiste që nga krijimi i saj në vitin 1991. /tvklan.al