Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Projektligji për legalizimet është një nismë e njëanshme e qeverisë, pasi nuk janë marrë në konsideratë qëndrimet e të gjitha palëve të interesuara. Rishikim të shpejtë dhe tërësor të projektligjit për legalizimin e zonave informale, ka kërkuar Lëvizja Socialiste për Integrim.

Sipas zv/kryetarit të kësaj partie, projektligji i legalizimeve për arsye demagogjike elektorale është servirur si zgjidhje, por në fakt nuk e jep atë.

Sokol Axhemi: “Është i paplotë, i pa qartë, me kundërthënie ligjore dhe nuk zgjidh aspak thelbin e çështjes të legalizimit, pasi ai i diskriminon banorët, të cilët janë të vendosura në zona me sipërfaqe nën 10 mijë metër katror, vendos kufij abuziv të njohjes së pronësisë deri në 500 m2, shteti merr atributet e një pronari të paligjshëm, nuk zgjidhet aspak problemi i ish-pronarëve nëpërmjet një kompensimi të drejtë dhe mbi të gjitha, nuk garantohet gëzimi i lirë i pronës, prej pronarëve të rinj”.

Nëse forca e shumicës parlamentare do të përdoret për miratimin e projektit aktual, që ka tensionuar situatën sociale, LSI me ekspertët e saj do të paraqesë në Kuvend alternativën përkatëse./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti