Gjyqtari është pezulluar nga KPA deri në përfundim te procesit
Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi të kalojë në gjykim çështjen në ngarkim të gjyqtarit të KPA Luan Daci me akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Në një seancë që ka zgjatur më shumë se tre orë, togat e zeza pranuan kërkesën e SPAK për ta marrë të pandehur gjyqtarin e vetingut. Sipas avokatit mbrojtës, gjykata kaloj çështjen në gjykim në kundërshtim me ligjin.
“Gjykata e kaloi për gjykim pa asnjë argument. Nuk ka prova të reja, fakti është shumë i thjeshtë. Një dokument që ne shkruajmë përbën apo jo dokument dhe nëse ka apo jo përmbajtje të falsifikuar. Pastaj aty ka letra pafund që nuk i duhen askujt”.
Referuar hetimeve ka rezultuar se Daci, nuk ka deklaruar një masë administrative të marrë në vitin 1997. Në atë kohë Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shkarkuar Dacin nga detyra e gjyqtarit, për paaftësi dhe shkelje të ligjit. Është pikërisht kjo shkelje që përbën shkak që Daci mos përmbushë kriteret për të mbajtur statusin e prokurorit ose gjyqtarit dhe për këtë nuk mund të jetë më pjesë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Në Korrik të këtij viti Kolegji i Posaçëm i Apelimit, vendosi pezullimin nga detyra të gjyqtarit Luan Daci, deri në momentin kur do të ketë një vendim gjyqësor ndaj tij.
Tv Klan