Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Mos arrestimi i Fatmir Ramës, i mbiquajtur Miri i Xhikes, apo i personave të tjerë, që rezultojnë bashkëpunëtorë në veprimtarinë kriminale, ka dështuar për shkak të mungesës të bashkëpunimit të strukturave që e kanë për detyrë ta bëjnë këtë. Ky është deklarimi i Ministrit të Rendit Luan Rama, i cili në orët e paradites është thirrur nga Presidenti Alfred Moisiu, bashkë me kreun e SHISH Kujtim Hysenaj dhe Prokurorin e Përgjithshëm Theodhori Sollaku.

Burimet në Presidencë janë rezervuar lidhur me çështjen e diskutuar gjatë paradites, por kreu i rendit gjatë një konference për shtyp ka thënë, se të tre këto institucione, janë në fazën e bashkëpunimit për zbardhjen e vrasjeve të rënda të ndodhura së fundi në Tiranë. Megjithatë, kreu i rendit u shpreh hapur, se Miri i Xhikes, nuk është arrestuar pasi prokuroria nuk ka lëshuar një urdhër arresti.

Luan Rama:- “Rasti i Mirit të Xhikes është një fenomen dhe kemi të bëjmë me një person, me precedent penal, i cili po të ishte trajtuar me seriozitet do të kishte bërë të mundur veprimin më parë të strukturave, pra diçka nuk ka funksionuar në bashkëpunimin e strukturave, jo vetëm ato brenda vendit, por dhe strukturat e policisë italiane veçanërisht. Pra po të kishte funksionuar më mirë ky mekanizëm, mund të kishim një realitet tjetër sot. Po të kishte një urdhër-arresti, nuk do të guxonte kush të mos e zbatonte atë”.

Ministri Rama pranoi se pas ekzekutimit të Fatmir Ramës, po bashkëpunohet ngushtë edhe me policinë italiane. Kjo e fundit mësohet se ka siguruar një pjesë të madhe të dhënash, lidhur me veprimtarinë kriminale të tij. Ministri i Rendit deklaroi, se është në dijeni, se edhe persona të pranishëm në vendin e ngjarjes, miq të Fatmir Ramës, natën e ekzekutimit të tij, kanë precedent penal dhe se ka këmbëngulur në arrestimin e tyre, por është në pritje të urdhrit të kreut të akuzës Theodhori Sollaku.

Luan Rama:- “Ka një bashkëpunim me prokurorinë, për të shkuar tek një urdhër-arresti, ashtu si kundër kemi kërkuar nga pala italiane, të na japë gjithë informacionin e nevojshëm, për të bërë të mundur, një hetim më të plotë”./tvklan.al