Qeveria shqiptare shpreh angazhimin e saj në përmbushje të plotë në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, në rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit dhe koordinimit me partnerët euroatlantike dhe Interpolit.
Garancia vjen nga numri një i Ministrisë së Brendshme, Lulzim Basha, i cili rikonfirmoi arritjet e ekzekutivit në takimin ministerial që zhvillohet në kuadër të asamblesë se përgjithshme të 78 të Interpolit në Singapor.
Sipas zotit Basha, Shqipëria tashmë është shndërruar në një nga vendet me tregues të kriminalitetit nën mesataren e Bashkimit Evropian, duke garantuar në këtë mënyrë rendin dhe sigurinë, si dhe duke u shndërruar në vendin më të sigurt në rajon.
Për shefin e dikasterit të brendshëm këto arritje janë bërë të mundura falë zbatimit të një politike zero tolerance ndaj krimit nga ana e qeverisë shqiptare, e cila në një kohë fare të shkurtër ka arritur të shkatërrojë mbi 220 organizata dhe qeliza të krimit të organizuar në vend, duke çuar përpara drejtësisë mbi 1000 persona.
Gjatë fjalës së tij mbajtur përpara homologëve nga 70 vende të botës, ministri Basha theksoi rëndësinë e veçantë falë bashkëpunimit me Interpolin, ku vetëm 3 vitet e fundit janë arrestuar dhe ekstraduar rreth 500 persona të kërkuar nga Interpol Tirana.
Sigurimi i kufijve ishte një tjetër temor e diskutuar nga ministri Basha ai tha se hapat e ndërmarra nga qeveria në këtë drejtim janë një arritje.
Në këtë kuadër zoti Basha informoi të pranishmit rreth sistemit modern Memex, për shkëmbimin e të dhënave kriminale, dhe sistemit TIMS për të dhënat në kufi, të cilët ndërlidhen në kohë reale me Qendrën Operacionale të Interpolit duke mundësuar kështu shkëmbimin dhe kontrollin e menjëhershëm të informacionit mbi personat në kërkim, apo dhe mbi automjetet dhe mallra të tjera.
Në kuadër të bashkëpunimit rajonal ministri Basha informoi të pranishmit se Shqipëria do të jetë vendi organizator i Konferencës Rajonale të Interpolit, që do të zhvillohet në vitin 2011.
Ministri Basha vlerësoi më tej krijimin dhe konsolidimin e forcës policore më të re të botës, siç e quajti ai Shërbimin Policor të Kosovës, duke e konsideruar atë një histori suksesi të OKB-së.
Më tej ai kërkoi që marrëdhëniet e Interpolit shtetin më të ri të Evropës të reflektojnë realitetin e Kosovës së pavarur nëpërmjet anëtarësimit të saj në këtë organizatë./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro