Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Vazhdon të jetë një situatë e tensionuar në Tetovë, ka krisma armësh na kazermat, ku janë stacionuar forcat e KFOR-it dhe kur për momentin gjenden dhe forcat e policisë maqedonase. Goditjet vijnë nga qyteti në drejtim të malësisë së Tetovës dhe malit të Sharrit, ku mendohet që janë stacionuar forcat kryengritëse dhe forcat UÇKM.

Këto janë tashmë një tablo e zakonshme e jetës së Tetovës, ndërsa ajo që është e veçanta e sotme është që rreth pasdites së vonë, forcat e UÇKM kanë shpallur dhe përfaqësuesit e tyre politik. Përfaqësuesi politik i UÇKM është zoti Ali Ahmeti. Burimet këtu, bëjnë të ditur se Ali Ahmeti është njëkohësisht edhe përfaqësuesi ushtarak, pra Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇKM.

Ahmeti një figurë e njohur në Maqedoni është larguar prej këtej herët kur ka qenë i përndjekur politik dhe është vendosur në Zvicër, ku ka jetuar për shumë vite. Pas një kohe të gjatë në Zvicër, ku ka qenë një nga drejtuesit e LBK-së, ai është kthyer në Prishtinë ku është involvuar në UÇK. Dalja e përfaqësuesit politik të UÇKM, të lë të kuptohet se kjo ushtri po përgatitet tashmë të prezantohet dhe në nivele politike dhe të jetë palë në tryezat e bisedimeve./tvklan.al

Gazetar – Blendi Fevziu