Ish-presidenti i Federatës Spanjollë të Futbollit, Luis Rubiales ka hedhur poshtë akuzat me të cilat po përballet në dyert e drejtësisë. I intervistuar pak ditë më parë nga ai shoqërim në policinë spanjolle, Rubiales ka mohuar faktin që mund të ketë marrë ryshfet si kreu i Federatës.
“Do t’ju them para se të më pyesni. Kurrë në jetën time nuk kam marrë ryshfet, kurrë. Nëse është e vërtetë që ata na kanë regjistruar, atëherë do të shohin se unë kurrë nuk kam marrë ryshfet nga Zherard Pike. Pike nuk ofroi asgjë, dhe unë nuk kisha çfarë të merrja”
Pas kthimit të tij në Spanjë, Rubiales u informua nga policia se ai ishte një i dyshuar në një hetim korrupsioni
Ai mbërriti në Madrid me një fluturim nga Republika Domenikane, ku kishte kaluar dy muaj në atë që ai e përshkroi si një udhëtim pune. Teksa 46-vjeçari ishte jashtë vendit, një gjykatës spanjoll urdhëroi kontrolle në zyra dhe prona të lidhura me një hetim të dyshuar për korrupsion, menaxhim të pahijshëm dhe pastrim parash gjatë mandatit të tij si president i Federatës Spanjolle.
Policia kishte kontrolluar selinë e RFEF jashtë Madridit dhe apartamentin e Rubiales në qytetin jugor spanjoll të Granadës më 20 Mars, si dhe një stadium futbolli në Sevilje. Deri më tani janë arrestuar shtatë persona. Dyshohet se shkak është bërë zhvendosja e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite në një marrëveshje me vlerë 120 milionë Euro.
Në shtator, Rubiales dha dorëheqjen si president i RFEF dhe një muaj më vonë u ndalua nga FIFA nga të gjitha aktivitetet e futbollit për tre vjet për puthjen e lojtares Jenni Hermoso pa pëlqim pas triumfit të Spanjës në Kupën e Botës për femra. Për këtë vepër penale, prokurorët kanë kërkuar deri në 2 vite e gjysmë burg.
Klan News