Luiza Gega është fituesja e Maratonës së Tiranës në disiplinën 42 km.
Atletja shqiptare e mbylli garën në edicionin e tetë, duke vendsour një rekord të ri kombëtar. Sportistja realizoi garën në kohën 2 orë e 34 minuta e 7 sekonda. Rekordi i mëparshëm kombëtar ishte 1 minutë më tepër.
Në përfundim, Gega shprehu emocionet e saj, ku theksoi se gara ishte një sfidë e vështirë, pasi në ditët e fundit ishte prekur nga një virozë.
“Maratona ndryshe nga çdo garë që unë bëj është një sfidë e jashtëzakonshme. Gjatë rrugës, duke qenë se do të vraposh 2 orë, të vijnë në mendje plotë mendime. Ka momente që thua ç’a doja, është shumë e vështirë, do ta ul ritmin… Pastaj thua t’i jap forca. Por prapë ke shumë sfida me veten tënde dhe këtu duhet të bashkohet ajo forca mendore me atë fizike për të arritur në vijën e finishit”, tha Gega.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i dorëzoi medaljen e vendit të parë rekordmenes Gega. Në fjalën e tij, ai u shpreh se ky vit ka qenë i jashtëzakonshëm për kryeqytetin, ndërsa shtoi se shumë prej të huajve që kanë ardhur në Tiranë për maratonën, kanë një motiv më shumë për t’u rikthyer vitin tjetër.
“Kemi pasur këtë vit një shans të jashtëzakonshëm, këtë vit Bashkia e Tiranës ka qenë drejtuesja e të gjithë bashkive të Ballkanit, B40-ta. Vitin tjetër, Tirana do të jetë kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Kjo do të thotë që shumë prej atyre të huajve që kanë ardhur sot, kanë një justifikim tjetër për t’u rikthyer sërish. Të vijnë me familjet, të blejnë ndonjë apartament, të fillojnë të investojnë në Shqipëri sepse unë besoj që sa më shumë hapet Tirana, sa më shumë zhvillohet dhe investohet në të, aq më shumë ngrihet dhe ecën përpara e gjithë Shqipëria. Unë gjithashtu pashë shumë atletë që kishin kauzën e autizmit ose të fëmijëve me sindromën Down. Një qytet i mirë është një qytet që ju shërben të gjithëve”, tha Veliaj.
Në garën e distancës 21 km, në kategorinë e meshkujve, fituesi ishte keniani Kennedy Kipkmoi Rono, pas tij Albert Kipkorir-tunui, po nga Kenia, e në vend të tretë hungarezi Adam Lomb.
Në kategorinë e femrave dominuan afrikanet; Valentine Benedek Jebet nga Kenia zuri vendin e parë. Pas saj, marokenet Saadia Fadili dhe Fatih Asmid. Në disiplinën 10 km në garën e meshkujve fitoui David Nikolla, e pas tij Albion Ymeri nga Kosova dhe Bogdan Somenoyyeh nga Ukraina.
Në kategorinë e femrave 10 km, fituesja e garës ishte Gresa Bakraqi nga Kosova, Redia Dauti dhe italiania Luisa Gaia Dal Molin.
Klan News