Luiza Gega mbërriti e para në vijën e finishit në Maratonën e Tiranës që u mbajt të dielën në edicionin e saj të tretë.
Rekordi i Luiza Gegës i thyer kësaj here është 2 orë e 34 minuta e 7 sekonda duke u përmirësuar kështu me 1 minutë, gjatë kësaj kohe sportistja ka vrapuar 42 kilometra. E ftuar në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ajo rrëfen emocionet e kësaj gare.
Luiza Gega: Maratona e Tiranës ishte një eksperiencë e re, një garë olimpike. Vendosa të vij në maratonë në Tiranës sepse kryesisht bëj gjysmë maratonë duke qenë që unë jam sportiste që bëj gara piste, por këtë vit duke qenë se jemi jashtë sezonit të këtyre garave që unë bëj vendosa të sfidoj veten në maratonë sepse ka një emocion ndryshe nga garat e tjera.
Aldo: Unë nuk e dija që do të merrje pjesë në fakt?
Luiza Gega: Para një muaji bëra një test sepse doja që ta kisha siguri, duke qenë se është Tiranë dhe ka një emocion tjetër. Bëra një maratonë dhe në Prishtinë që të testoja veten, sepse maratona nuk është shaka siç e the dhe ti. Thjesht ta numërosh duket shumë e lodhshme dhe jo më ta bësh. Sado ngadalë ta bësh përsëri është shumë e gjatë dhe varet se si trupi të reagon rrugës. Ideja nuk ishte që thjesht ta përfundoja, ideja ishte që pse jo të isha në podiumin, duke qenë se jam e vetmja sportiste në distancë që mund të isha në podium, dhe siç ndodhi, kjo ishte dhe arsyeja se përse doja të kisha një siguri nëse e fitoja dot apo jo. Ma dha këtë siguri në fakt dhe Maratona e Prishtinës dhe ishte një emocion ndryshe, kjo është dhe arsyeja pse unë marr pjesë çdo vit./tvklan.al