Lulzim Basha thotë se dorëheqja e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika ka ardhur si pasojë e presionit politik të kryeministrit Rama, pas raporteve që ky institucion ka referuar në prokurori lidhur me çështjen e kanabisit.
“Një gjë është e sigurtë, që SHISH që harton raporte për përfshirjen e policisë në trafikun e drogës është halë në sytë e pushtetit dhe Edi Ramës. Nuk kam konkluzion tjetër veç presionit politik. Mendoj se po bëhet gjithçka për të mbyllur aferën e Tahirit”.
Basha permendi edhe hetimet për e ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, për të cilin tha se nuk do mundë t’i shpëtojë drejtësisë.
“Bota nuk do të lejojë që Shqipëria të kthehet në një shtet të dështuar, të zotëruar nga bandat. Kjo çështje nuk do të mbyllet por do të hapet në ditët në vijim. Sajmir Tahiri duhet të arrestohet. Përdorimi i imunitetit të Tahirit bëhet vetëm për të mbrojtur atë dhe bashkëpunëtorët e tij”.
Çështja “Tahiri” ka qenë edhe në qendër të mbledhjes së grupit demokrat, ku njëzëri është rënë dakort që të diskutohet vetëm për këtë çështje në komisionet parlamentare, pavarësisht rendit të ditës. Të njëjtin qëndrim demokratët mbajtën edhe në komisonet parlamentare të së hënës, ku pasi nuk janë lejuar të diskutojnë i kanë bojkotuar ato.
Tv Klan