Presidenti i Francës Emanuel Macron në një intervistë për “EBRA” vendosi theksin në armët bërthamore. Sipas tij armët bërthamore të Francës duhet të jenë pjesë e debatit evropian për sigurinë dhe mbrojtjen.

Ai tha se një mbrojtje e besueshme për Evropën duhet të kapërcejë atë të ofruar tashmë nga aleanca paqeruajtëse, NATO.

Presidenti Macron ka qenë më i rreptë për çështjet e mbrojtjes kohët e fundit, pasi ditën e enjte bëri thirrje për një mbrojte më të fortë dhe më të integruar të Evropës, sipas tij kontinenti mund “të vdesë”. Ai përshkroi vizionin për një Bashkim Evropian më të sigurt në skenën globale.

“Kjo mund të nënkuptojë vendosjen e mburojave kundër raketave, por ne duhet të jemi të sigurt që të bllokojmë të gjitha raketat dhe të pengojmë përdorimin e armëve bërthamore,” tha ai.

Lidhur me armët bërthamore, Macron u shpreh se është i hapur për t’u dhënë një dimension më evropian përdorimit të tyre, ndryshe nga doktrina franceze e cila lejonte përdorimin e tyre në raste se do të kërcënoheshin interesat jetike të Francës.

“Unë kërkoj hapjen dhe zhvillimin e këtij debati, i cili duhet të përfshijë mbrojtjen raketore, armë me rreze të gjata dhe armë bërthamore për ato shtete që i kanë,” përfundoi Macron.

Por komentet e Presidentit Emanuel Macron për armët bërthamore dhe sigurinë e Evropës tërhoqën kritika nga kundërshtarët e djathtë dhe të majtë të spektrit politik.

/tvklan.al